Askund më fort se në Bulqizë nuk vihet re kontrasti midis pasurive natyrore dhe varfërisë së njerëzve të thjeshtë. Bulqiza është e pasur me krom, pyje e ujëra, por prej tyre përfiton vetëm një grusht i vogël oligarkësh dhe banditësh.
Jeta ekonomike e Bulqizës rrotullohet rreth mineralit të kromit. Mijëra minatorë ngrihen pa u gdhirë dhe rrezikojnë jetën për të nxjerrë pandalshëm kromin që pasuron tjetërkënd. Krahasuar me produktivitetin, vështirësitë dhe rrezikun e punës, pagat e minatorëve janë qesharake. “Do të preferoja një punë të çfarëdoshme me 300 mijë lekë sesa të rrezikoj jetën në galeri.” – na thoshte një minator një vit më parë. Po në Bulqizë nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç minierës, gjithnjë e më e rrezikshme dhe e shfrytëzuar pa kriter. Që minatorët të marrin pensionin e plotë, duhet të presin moshën 65-vjeçare, e cila është gjithnjë e më e vështirë për shkak të gjymtimeve dhe sëmundjeve profesionale.
Ndërkohë që shfrytëzohen, shtypen dhe mbeten me muaj të tërë pa paga, minatorëve u mungon edhe kujdesi minimal shëndetësor e shoqëror. Spitali i Bulqizës, i cili duhet të ishte në pararojë të shërbimit shëndetësor për heronjtë e nëntokës, është katandisur në një infermieri të thjeshtë, e cila vetëm sa përcjell minatorët e gjymtuar në Peshkopi ose Tiranë. Shkollat janë të lëna pas dore, ndërkohë që emigrimi i ethshëm i ka reduktuar klasat me fare pak nxënës.
Po Bulqiza nuk është vetëm e minatorëve. Në shumicën e saj, bashkia e Bulqizës përbëhet nga bujq. Fshatarët ankohen për mungesën e rrugëve, ujit të pijshëm dhe shkatërrimin e natyrës përreth. Pensionistët mezi mbijetojnë me pensionet qesharake të fshatit. Në këto kushte, miratimi i minimumit jetik prej 18.000 lekësh do të ishte një hap i madh përpara për ta.
Në Bulqizë përfitojnë ndihmë ekonomike 1660 familje, të cilat duhet të mbajnë frymën gjallë me më pak se gjysmën e të ardhurave që do t’i takonin vetëm një njeriu nëse do të miratohej minimumi jetik.
Ashtu si zona të tjera të qarkut të Dibrës, ku mesatarisht kemi shkallën më të ulët të pjesëmarrjes në forcat e punës (50.8%, ngjitur me vendin e fundit, Lezhën) dhe nivelin më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, edhe Bulqiza e ndjen varfërinë e thellë.
Në këtë varfëri ndikon edhe heqja e rentës minerare nga qeveria për bosët e kromit. Ndonëse të ardhurat që i shkonin bashkisë së Bulqizës nga vjelja e rentës minerare ishin vetëm 5%, sërish në vitet e fundit ato përbënin mesatarisht rreth 15.000.000 lekë (të reja) në vit. Të gjitha këto para që mund të përdoreshin për të përmirësuar shërbimet shëndetësore, arsimore ose infrastrukturën e zonës. Gjatë tre viteve të ardhshme vetëm njëra nga kompanitë, AlbChrome-i i oligarkut Samir Mane, do të përfitojë 180.000.000 lekë nga falja e rentës minerare, nga të cilat 9.000.000 do t’i mungojnë bashkisë së Bulqizës.
Ne, aktivistët e Organizatës Politike, kemi vite që organizohemi me minatorët dhe qytetarët e Bulqizës për të drejta në punë dhe shoqëri. Kemi qenë me minatorët që në zanafillë të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, në grevën dhe protestat e nëntor 2019-janar 2020, kemi denoncuar çdo vrasje, gjymtim e persekutim minatorësh nga oligarku Mane dhe bosët lokalë të kromit, jemi angazhuar së bashku me minatorët duke mbledhur 11.000 firma për miratimin e Statusit të Minatorit dhe u angazhuar në fushatën elektorale për të sjellë në qendër të vëmendjes minatorët dhe statusin e tyre.
Këto ditë jemi rikthyer në Bulqizë, sërish mes minatorëve e qytetarëve të Bulqizës, në emër të të drejtave të reja e jetike – nga minimumi jetik e paga minimale te shëndetësia, arsimi dhe kontratat kolektive. Në Bulqizë kemi sjellë zërin e punëtorëve, studentëve, dyqanxhinjve, pensionistëve e profesionistëve të Ballshit, Beratit, Lushnjës e Gjirokastrës. Prej Bulqizës do të ridërgojmë me forcë anembanë Shqipërisë zërin e minatorëve – më të shfrytëzuarve dhe nëpërkëmburve në Shqipëri.
Ne nuk kemi thjesht parullë, por kumt që del nga zemra e çdo njeriu të punës dhe qytetari të ndershëm:
PUNË DHE JETË ME DINJITET!