28-29 NËNTORI NGA SYTË E NAFTËTARËVE

Këto ditë feste për qytetarët dhe ekzibicionizmi për pushtetarët, naftëtarët po përballen me shembjen e çdo shprese për punë dhe jetë të dinjitetshme. Prej ditësh në uzinën e ndërtuar me duart dhe gjakun e tyre po sillet fantazma e çuarjes për skrap, e sendërtuar në kamionë të tonazhit të rëndë që hyjnë e dalin në mjediset e uzinës.

Prej më se dy vitesh uzina e përpunimit të naftës në Ballsh është jashtë funksionit. E grabitur nga pushtetarë të të gjitha krahëve dhe nga pronarë e qiramarrës të hurit e të litarit, uzina nuk u jep më punë mbi 600 naftëtarëve. Protestat dhe grevat e fuqishme të naftëtarëve e patën detyruar qeverinë aktuale të lëshojë pe, duke u siguruar punëtorëve një vit pagë. Po me sa duket kjo ka qenë strategji kriminale e heshtimit të naftëtarëve për të përgatitur shkatërrimin e rafinerisë dhe çuarjen e saj për skrap.

Çfarë ka ndodhur gjithë këto vite me uzinën e Ballshit është përgjegjësi e të gjitha partive qeverisëse. Kujtojmë se ky proces degradimi nisi me privatizimin në kohën e sundimit të Sali Berishës, ndërkohë që rruga drejt shkatërrimit ka vazhduar gjatë tetë viteve të sundimit të Edi Ramës. Qeveria e këtij të fundit është zotuar disa herë se do të gjente investitorë strategjikë për rimëkëmbjen dhe modernizimin e uzinës, duke dhënë si afat edhe pranverën e këtij viti. Por as investitori nuk erdhi, as shteti nuk pati guximin dhe vizionin strategjik të marrjes në kontroll të rafinerisë, duke mënjanuar spekulantët që pretendojnë pronësinë e saj.

Për naftëtarët e Ballshit, Fierit dhe rrethinave 28-29 Nëntori kanë një kuptim më jetësor se për këdo tjetër. Për ta, atdheu e çlirimi nuk janë nocione abstrakte e festive, por nevojë për punë që i rrënjos në bashkësinë e tyre. Sot ata kanë nevojë të këpusin lidhjet e varësisë nga institucionet që i kanë gënjyer e nëpërkëmbur prej vitesh dhe ta çlirojnë uzinën nga zaptuesit.

Në këtë luftë do të na kenë në krah si gjithnjë.

Skip to content