Gjirokastra po vdes dita-ditës, me 246 vdekje më shumë se lindje çdo vit dhe me treguesin më të ulët të jetëgjatësisë për burrat në vend (73.5 vjeç), edhe pse dikur ajo gëlonte nga jeta.
Gjirokastra po plaket dita-ditës, pasi është qarku me popullsinë më të vjetër në vend dhe një nga dy qarqet e vetme (bashkë me Korçën) ku numri i të rinjve është më i vogël se numri i të moshuarve, edhe pse dikur rinia gjirokastrite ishte në pararojë të jetës së vendit.
Gjirokastra po braktiset dita-ditës, duke u renditur e dyta (pas Dibrës) për largimin e popullisë (17.7 persona për 1000 banorë), e duke ngelur qarku me dendësinë më të ulët në vend (vetëm 21 banorë për kilometër katror), edhe pse dikur shumëkush e ëndërronte të banonte atje.
Gjirokastra po varfërohet kulturalisht dita-ditës, pasi është qarku me numrin më të vogël të institucioneve arsimore (vetëm 36), nxënësve (5922) dhe mësuesve (678) në vend, edhe pse i ka falur Shqipërisë figurat më të shquara intelektuale.
Gjirokastra po sëmuret dita-ditës, pasi ka një ndër numrat më të ulët të mjekëve të familjes në shërbimin parësor, edhe pse dikur spitali rajonal “Omer Nishani” ishte ndër më të specializuarit në vend.
Gjirokastra po varfërohet edhe financiarisht dita-ditës, pasi ajo është qarku i parafundit për nga shpenzimet mesatare për konsum në vend dhe ndër qarqet me strukturën më të brishtë ekonomike (shitje neto), edhe pse dikur ajo ka qenë një qendër industriale e përpunimit të metalit dhe prodhimit të këpucëve.
Gjirokastra po thahet dita-ditës, pasi ka rendimentin më të ulët të prodhimit të grurit (30 kg/Ha) dhe perimeve (14,810 tonë) në vend, teksa fushat pjellore të zonës së Dropullit ngelen djerrë.
Gjirokastra po harron vetveten dita-ditës, pasi është qarku me numrin më të vogël të gjedhit, me 4,5% ndaj numrit gjithsej të krerëve dhe ka rendimentin më të ulët të qumështit (1,807 kg qumësht për krerë), edhe pse blegtoria është një zanat tradicional i kësaj zone.
Gjirokastra mund të rikthehet në qytetin e dikurshëm vetëm nëpërmjet zbatimit të politikave të Kartës Sociale. BASHKOHEMI!