PRONARËT E TRANSPORTIT PO SHANTAZHOJNË QYTETARËT

Njëherë e një kohë, një furgon të çonte nga Kombinati deri në Allias për 20 lekë. Pastaj u tha se në treg do hyjnë aktorë seriozë dhe çmimi i biletës së transportit urban në Tiranë shkoi në 30 lekë.

Aktorët seriozë tentuan që çmimin ta rrisnin nga 30 në 50 lekë në janar të 2014, kur kryetar bashkie i Tiranës ishte Lulzim Basha. Prej janarit e deri në mars, ne, aktivistët e Organizatës Politike protestuam bashkë me shumë qytetarë të Tiranës që çmimi të mos rritej. Dhe çmimi nuk u rrit.

Më 30 dhjetor 2015, një natë para Vitit të Ri, Erion Veliaj e bëri fakt të kryer indeksimin e tarifave të transportit, duke bërë që qytetarët e Tiranës ta nisnin vitin 2016 me biletë autobusi 40 lekë.

Pas 5 vitesh kur transporti publik në Tiranë është në kushte të mjerueshme – autobusë që shfaqen nëpër stacione çdo 30 minuta, që ecin me shpejtësi 30 km/orë, që i ngjeshin pasagjerët si të ishin sardele – në 31 maj të këtij viti Erion Veliaj anuloi abonenë e përgjithshme.

Përsëri u organizuam në një fushatë të gjerë ndërgjegjësuese me qytetarët, punëtorët e studentët e Tiranës, duke protestuar para dyerve të Bashkisë, e duke e rikthyer në qarkullim abonenë e përgjithshme.

Tashmë pronarët e kompanive private që kanë kapur transportin publik në Tiranë, janë bërë bashkë duke kërcënuar publikun se nëse nuk do të ketë rritje të çmimit të biletës ata do ta shkurtojnë qarkullimin me 50% e deri me 80%.

Ne, aktivistët e Organizatës Politike, denoncojmë faktin se ky është një shantazh që po i bëhet qytetarëve të Tiranës. Kjo marrëveshje oligopoliste mes pronarëve, në ujdi me Erion Veliajn, është në shkelje të kontratës që është në fuqi dhe përtej çdo logjike të konkurrencës së aktorëve privatë në treg për të ofruar shërbimin më të mirë me çmimin më të lirë.

Privatizimi i transportit publik në Tiranë ka shërbyer që në krye të herës për të na e shitur rritjen e çmimit të biletës si një fakt të diktuar nga rregullat e tregut, kur në fakt këtu kemi të bëjmë me favorizimin e një grupi pronarësh për të përfituar nga xhepat e qytetarëve.

Jo vetëm që çdo rritje e çmimit të biletës është i patolerueshëm teksa po rritet edhe çmimi i bukës, por këta spekulantë nuk duhet as të marrin subvencione nga paratë e taksapaguesve. Reduktimi i numrit të autobusëve është shkelje e kontratës dhe përgjegjësve u duhet hequr menjëherë licenca. Nëse ata ankohen se do falimentojnë, atëherë transporti duhet t’u kalojë atyre që mund të sigurojnë shërbim cilësor me çmime të ulëta. Në të kundërt, tranporti publik duhet të shtetëzohet.

Ditën e nesërme në orën 18:00, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, do të prezantojmë Kartën Sociale, ku do flasim edhe sesi duhet të organizohemi për një transport përnjëmend publik, cilësor dhe të lirë për qytetarët e Tiranës e mbarë vendit.

Skip to content