Prej javësh çmimi i ri i bukës është temë e diskutimit publik. Sidomos pas një vendimi të dyshimtë të Autoritetit të Konkurencës në dobi të një grushti të vogël biznesmenësh të mëdhenj.
Përballë kësaj situate, zv/kryeministri Ahmetaj ka dhënë disa deklarata konfuze, kurse kryeministri Rama është tallur me hallet e popullit duke thënë se në kapitalizëm qeveria nuk merret me bukën, edhe pse kontrollon qindra miliona dollarë koncesione dhe duhet të luftojë monopolet.
Qartazi, Rama dhe institucionet e shtetit janë vënë në mbështetje të biznesit të madh kundër interesit publik, duke i cenuar qytetarët në bukën e tyre të përditshme, në kohën kur INSTAT-i deklaron rritje të përgjithshme të kostove të jetesës dhe rënie të konsumit e të kursimeve për qindra mijëra familje punëtore.
Për të shprehur indinjatën qytetare ndaj grykësisë së biznesmenëve të mëdhenj të miellit dhe kompromentimit të pushtetarëve, aktivistët e Organizatës Politike kryen një aksion me graffiti nëpër qytet.
Shqetësimi ynë nuk është vetëm buka, por edhe thellimi i pabarazisë ekonomike, pagat e ulëta, rritja e çmimeve të ushqimeve e qirave dhe pasiguria e vazhdueshme sociale si rezultat i martesës së shtetit me oligarkinë. Dimri që po vjen do të jetë i vështirë dhe dalja masive në rrugë për të drejta sociale është nevojë dhe detyrë e të gjithëve.