“SOCIALISTI” I SHAMPANJËS DHE BUKA E POPULLIT

Deklarata e zv-kryeministrit Arben Ahmetaj se shtrenjtimi i çmimit të bukës mbetet i përballueshëm për qytetarët është dëshmi e papërgjegjshmërisë gjer në përqeshje të pushtetarëve në raport me popullin.

Përgjatë tetë viteve të sundimit të Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt jo vetëm kursimet, por edhe konsumi i përgjithshëm i qytetarëve ka rënë në nivele dramatike. Ndërkohë, sipas INSTAT-it, nga 2020 në 2021 janë rritur të gjitha çmimet e mallrave të shportës dhe kostot e tjera të jetesës, por jo edhe punësimi, pagat dhe pensionet.

Zv-kryeministri Ahmetaj, i vetëpagëzuar me nofkën zoologjike “Tigri”, hamës i shquar në darkat me oligarkë dhe i parasë publike, me siguri prej kohësh e ka harruar shijen e bukës. Ndërsa mbrojtjen e interesit publik nuk e ka njohur kurrë.

Këta “socialistë” të shampanjës duhen detyruar të kujtojnë shijen e bukës dhe ç’do të thotë të luftosh përditë për fitimin e saj, siç bëjnë të gjithë njerëzit e thjeshtë. Përndryshe jetesa në vend do të bëhet edhe më e papërballueshme.

Prandaj duhet të bashkohemi rreth Organizatës Politike dhe rezistencës sonë për forcimin e të drejtave sociale të qytetarëve.

Skip to content