Në seancën e djeshme parlamentare Erion Braçe ka folur…
për pagat e ulëta të punëtorëve, për pagën mesatare e minimale, për shmangien e oligarkëve nga taksat, sesi ata u kënaqën me para nga shteti, për nevojën e taksimit të Samir Manes (dora vetë), për pabarazinë ekonomike dhe rishpërndarjen e drejtë, për mbrojtjen sociale, për pensionet, për punën, për bujqit…
Edhe Bernie Sanders-i s’do ta kishte thënë më mirë.
Por si shpjegohet ky pozicionim majtas brenda një partie aq të ndërthurur me interesat e oligarkëve dhe të pasanikëve?! Në dy mënyra:
1. Ai që deri dje ishte zv. Kryeministër e s’iu dëgjua kurrë zëri për asnjë nga këto probleme sociale – madje as kur punëtorët u binin me shkelma dyerve të ministrive të qeverisë së tij – sot po tenton që këtë diskurs ta çoje brenda folesë së Partisë Socialiste, që ta dëgjojnë pensionistët me teserë partie e të mallëngjehen;
2. Në fund të fjalimit deputeti Erion Braçe tha: “mbështes me forcë iniciativën e marrë nga kryeministri” dhe se “kemi shumë, shumë punë për të bërë.” Me demek, këto halle o punëtorë, bujq, të varfër e të nëpërkëmbur, ua zgjidh vetëm kryeministri.
Sa herë që Erionin e ulin nga detyrat qeveritare, ai vë në kokë kapelen e Che Guevara-s. Vetëm se ajo i ri gjithmonë shumë e madhe.