DREJTËSI PËR MUHARREM PLAKUN

Mbrëmë në mesnatë, pas pesë ditë kërkimesh, u gjet trupi i pajetë i minatorit Muharrem Plaku në galerinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Bulqizës Myfit Duriçi. Vdekja e dhunshme e Muharremit na shtyn ta thërrasim edhe më fort të vërtetën për minatorët:

– Vdekja e minatorit shkaktohet thuajse gjithnjë nga mosinvestimi në infrastrukturën e sigurisë.

– Për të fituar më shumë, pronari nuk njeh kufij në intensitetin e shfrytëzimit të punëtorit. Minatorët punojnë orë e pa orë, pa mjetet e duhura mbrojtëse, nuk paguhen prej muajsh ose paguhen si mos më keq.

– Koncesionet në miniera janë marrëveshje kriminale midis pushtetarëve politikë dhe mafiozëve që i marrin në zotërim.

– Piramida e korrupsionit, që nis nga kryeministri dhe mbaron me inspektorët lokalë, nuk lë vend për mbikëqyrje të kushteve të sigurisë në punë.

– Organet e drejtësisë janë aq të lidhura pas parasë dhe ndikimit politik, saqë nuk kryejnë asnjëherë hetime serioze për të nxjerrë në pah të vërtetën dhe përgjegjësitë për vdekjet dhe gjymtimet në punë.

– Çdo vdekje minatori është në thelb një vrasje e qëllimtë dhe në bashkëpunim. Për të kuptuar përgjegjësit mjafton të nxjerrësh në pah se kush fiton prej saj.

Ne, aktivistët e Organizatës Politike, u shprehim ngushëllimet tona familjarëve dhe shokëve të Muharrem Plakut.

Zotohemi gjithashtu se do ta ngremë gjithnjë e më fort zërin për të drejtën e punës së sigurt e të dinjitetshme. Lufta jonë do të intensifikohet deri ditën kur minierat do të kthehen në administrim publik dhe minatorët do të trajtohen siç e meritojnë ata që sakrifikojnë për të nxjerrë nga nëntoka pasurinë tonë të përbashkët.

#DrejtësiPërMuharremPlakun

#MeMinatorët

Skip to content