
Pak ditë më parë qeveria bëri publike paketën e mbështetjes financiare për të punësuarit/vetëpunësuarit të cilët janë prekur ekonomikisht nga situata e shkaktuar nga Covid-19. Sipas kritereve të vendosura, nga kjo paketë janë të përjashtuar shumë grupe shoqërore, ndër më nevojtarët. Mes të tjerësh, edhe naftëtarët e Ballshit dhe punëtorët e nënstacionit të Poçemit.
Janë më shumë se 800 punëtorë që jo vetëm kanë dhjetëra paga pa marrë, por tashmë nuk munden të përfitojnë as mbështetjen më minimale në këtë situatë dyfish të rëndë për ta. Ky grup shoqëror, të cilit shteti dhe shoqëria i kanë borxh shumëçka, duhet të ishte ndër të parët për t’u mbështetur sadopak.
Naftëtarët janë në zgrip të mbijetesës. Pa ta, një qytet i tërë rrezikon vdekjen ekonomike.
U bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse t’i thërrasin arsyes një orë e më parë dhe të përfshijnë në mbështetjen financiare naftëtarët dhe të gjithë njerëzit në nevojë!