(I rënë në punë për ndërtimin e stadiumit)

Ndodh shpesh që objektet apo sheshet publike marrin emrin e atyre që kanë dhënë një kontribut të vyer, ose duke shkëlqyer profesionalisht, ose duke u sakrifikuar që objekti apo sheshi të jetë aty.
Sigurisht që kjo ndodh në një shoqëri të drejtë. Piramidat në Egjipt nuk mbajnë emrat e punëtorëve apo arkitektëve që i ideuan dhe ndërtuan, por emrat e faraonëve. Por kjo sepse bëhet fjalë për një periudhë e sundimit absolut.
Sot jetojmë në periudhën e sundimit të PPP-ve dhe ideologjisë së tregtarizimit. Stadiumi merr emrin e sponsorit kryesor “Air Albania”. Të mos habitemi nëse nesër do çelet universiteti publik “Lufra”.
Ne, aktivistët e Organizatës Politike vendosëm që, në mënyrë simbolike, stadiumit t’i vëmë emrin e punëtorit që sakrifikoi që stadiumi të jetë sot aty. E dikujt të cilit emri s’i është dëgjuar kurrë, sepse vdekja e tij kaloi në heshtje. E punëtorit 40-vjeçar Naim Idrizi që ra nga skela duke punuar!