Qyteti i Mamurrasit, vetëm pak kilometra larg qytezës së Thumanës, e cila me rrënimin dhe viktimat e saj shtangu opinionin publik vendas e ndërkombëtar, nuk shpëtoi i pacënuar prej termetit të fundit.
Përveç një të riu në pafuqi fizike që gjeti vdekjen në kushte paniku e pamundësie, disa të plagosurve dhe një popullate të tronditur emocionalisht, termeti ka lënë pas vetes një katastrofë që nga humnitare agravoi në sociale dhe institucionale.
Komuniteti rom i qytetit dhe njerëzit më të varfër të tij janë pësuesit e shumtë të katastrofës. Disa pallate parafabrikate të qytetit dhe shtëpi përdhese në lagjet Bonifikim, Shperdhet, Gjorme dhe Fushë-Mamurras, janë në rrezik serioz, pothuajse të pajetueshme.
Por ashtu siç ndodh zakonisht në periferi, ku shteti nuk ekziston, veprimi u bë me vonesë dhe i çorganizuar. Çadrat në shkollën “Migjeni” nuk kanë infrastrukturën e nevojshme të strehimit dhe mbrojtjes nga ftohti. Në lagjet e qytetit, veprimi ishte edhe më i vonuar.
Megjithatë, përpos ndihmës në ushqime të shoqatave fetare, qytetarët janë të shqetësuar me së shumti për gjendjen e godinave dhe shpërfilljen e pushtetit lokal e qendror. Ata kërkojnë që shteti të inspektojë dhe të marrë masa për ri-ndërtimin e tyre.
Për popullin e varfër e punëtor të periferisë, shtëpia është pasuria e vetme dhe investimi i jetës. Nëse 72 orët e para ishin të nevojshme ndihmat humanitare në ushqim, tashmë është e nevojshme ndërhyrja masive e shtetit në rindërtim.