
Sot strukturat e një shteti oligarkik kanë nisur shkatërrimin e banesave të qytetarëve të Unazës së Re. Pa pyetur për të drejtën themelore të strehimit dhe e zhytur kokë e këmbë në korrupsion, qeveria e sotme ka vendosur të lërë në mes të rrugës familje të tëra. Nga përdorimi i padrejtë dhe shpërpjesëtimor i dhunës, banorët e zonës po përfundojnë në spitale. Shumë të tjerë janë keqtrajtuar gjatë shoqërimit në polici.
Ajo që po ndodh sot me banorët e Unazës së Re është fati që pret mijëra të tjerë, sidomos familjet e varfra, i vetmi krim i të cilëve është se me sakrifica të mëdha kanë ndërtuar një strehë mbi krye. Mes shtëpive të tyre pritet të kalojnë ruspat e kontratave shumëmilionëshe që fitohen nga një grusht biznesmenësh.
Në një vend me rendin e duhur shoqëror, strehimi do të konsiderohej një e drejtë bazike e njeriut dhe detyrim i shtetit për t’ua garantuar qytetarëve të pamundur. Një qeveri demokratike do t’u çonte banorëve inxhinierë dhe muratorë për banesa të reja, jo ruspa, policë e gaz lotsjellës. Në Shqipërinë e sotme, strehimi – ashtu si shkollimi, kujdesi shëndetësor, furnizimi me ujë, energji elektrike, ajri i pastër etj. – konsiderohen mallra që mund të shijohen vetëm nga ata që kanë të ardhura të mjaftueshme.
Ne, aktivistët e Organizatës Politike, ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës që të solidarizohen me banorët e Unazës së Re dhe të ndërtojmë së bashku strukturën e rezistencës për të drejtën e strehimit.
Poshtë qeveria! Poshtë oligarkët!