
Kompania Albchrome, në pronësi të oligarkut famëkeq Samir Mane, ka pushuar nga puna Elton Debreshin, kryetarin e të sapoformuarës Sindikatë të Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Po ashtu, ndaj disa anëtarëve të tjerë të sindikatës janë marrë masa paralajmëruese.
Në kundërshtim me Kodin e Punës, i cili u siguron mbrojtje të veçantë drejtuesve sindikalistë, dhe pa asnjë lidhje me logjikën e disiplinës në punë, kompania e Samir Manes po synon të shtypë që në qelizë organizimin autentik dhe demokratik të minatorëve të Bulqizës. Duke pushuar Elton Debreshin, kompania kërkon t’i detyrojë minatorët të ulin kokën dhe të mos luftojnë demokratikisht për të drejtat e tyre.
Po Elton Debreshi nuk është vetëm. Ai ka në krah të gjithë heronjtë e nëntokës, minatorët që çdo ditë përballen me vdekjen për të nxjerrë s’andejmi varfërinë e tyre dhe pasurimin e një oligarku. Minatorët kanë nga pas një qytet të tërë si Bulqiza, e cila mbijeton përmes minierës. Po, mbi të gjitha, minatorët dhe Bulqiza do të kenë me vete mijëra vullnetet deri më sot të ndrydhura të punëtorëve dhe qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë.
Ne, aktivistët e Organizatës Politike, shprehim solidaritet të plotë me Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës dhe zotohemi të luftojmë me të gjitha mjetet që na lejon ndërgjegjja qytetare në krah të minatorëve.
Miniera e Bulqizës dhe Shqipëria nuk mund të jenë më plaçkë e Samir Manes, Edi Ramës apo e çdo paraziti tjetër që na pi gjakun!