“Tirana 2030” quhet plani urbanistik i Edi Ramës dhe Erion Veliajt për kryeqytetin, plan që do të shkatërrojë jo vetëm hapësirat e fundit publike dhe të gjelbra të qytetit, por edhe kujtesën historike të tij, duke sjellë për pasojë një qytet kaotik, pa gjeometri dhe pa sens social. Teatri Kombëtar dhe Teatri i Kukullave janë disa prej viktimave të këtij projekti.
“Tirana 2030” është gjithashtu shprehje e marrëveshjeve korruptive mes qeveritarëve dhe oligarkëve, të cilët në këmbim tenderave, lejeve për kulla shumëkatëshe dhe përjashtimit nga taksat, financojnë jetën luksoze të pushtetarëve dhe partive të tyre, siç qe rasti i dokumentuar zv/kryebashkiakut Mazniku.
Po kështu, në kantierët e “Tirana 2030” punëtorët e ndërtimit punojnë në pasiguri të plotë për jetën, pa rregulla, të keqpaguar dhe nën presion psikologjik, ndërkohë që familjet e tyre nuk kanë një shtëpi normale dhe numri i qytetarëve të pastrehë shtohet me shpejtësi.
Këto janë disa nga paradokset e këtij projekti distopik mbi qytetin, ku zhvillimi nuk sjell progres dhe pasuria nuk ka drejtësi. Prandaj ne, aktivistët e Organizatës Politike, vendosëm të shkruanim këtë parullë mbi një prej mureve të këtyre kantierëve famëkëqij, si hapi i parë drejt një rezistence më të gjerë.
Tirana u përket qytetarëve, jo oligarkëve e kryetarëve!