
Shqiptarët kanë 30 vjet që shantazhohen. Jo më me burgime e internime, por me heqje nga puna. Me heqjen e mundësisë për të punuar, për të siguruar jetën me punë.
Do punë? Voto këtë parti! Do të rrish në punë? Mbyll gojën!
Do ta ruash vendin e punës? Dil në mitingun e partisë! Do të fluturosh që nesër nga puna? Vazhdo e fol!
Mjafton që të shkarravitesh nëpër studio televizive duke lëvduar udhëheqësin, për t’u shpërblyer e për t’u bërë drejtor. E çfarë nëse dinjitetin e ke bërë një rreckë me të cilën fshin sheshet?! Ke punë! Madje, ke pushtet në punë!
E nëse flet kundër padrejtësisë kolektive, nëse denoncon vjedhjen e hapësirës publike, zhdukjen e trashëgimisë kulturore, atëherë ke pasoja. Atëherë ta heqim të drejtën e punës. Atëherë fitoje bukën ku të duash. Merr valixhet e mos i kthe më sytë pas.
Neritan Liçaj është ndër ata pak njerëz që nuk e shiti veten si shumë të tjerë, me një buzëqeshje pranë kryebashkiakut fotozhenik. Neritani i qëndron ende sot vendimit për të mos e lejuar padrejtësinë që të ndodhë. Prandaj edhe ai po shantazhohet, prandaj duan edhe atë ta lënë pa punë.
Drama e shoqërisë shqiptare këto 30 vjet është puna. Ne luftojmë për punë. Ne vihemi në rresht për punë. Ne votojmë për punë. Ne emigrojmë për punë. Ne fshihemi për punë. Ne servilosemi për punë.
Dhe prapë na shkelin! Dhe prapë na shantazhojnë! Dhe prapë na flakin tej!
Pa sindikata, nuk ka punë, nuk ka dinjitet!
ORGANIZOHU!