Nën rrënojat e një shteti thuajse armik

68442454 2268880463237460 3470237548289196032 n

Vdekjet e 31-vjeçarit Ergys Brahimaj dhe 36-vjeçarit Orjan Kodra, plagosja e rëndë e G.B 29 vjeç, E.L 34 vjeç dhe A.M 36 vjeç gjatë rikonstruksionit të një pallati 13-katësh në Tiranë, bashkë me pamjet e trupave që nxirreshin të vdekur nga rrënojat dhe pikëllimin e familjarëve të tyre, tronditën mbarë opinionin publik.

Përtej ndjeshmërisë njerëzore, është koha që shoqëria jonë të reflektojë seriozisht përse aksidentet në punë nuk mund të përligjen më si fat i keq apo gabime teknike. Ato vijnë si pasojë e etjes së pashueshme për fitim të ndërtuesve dhe mungesës së qëllimtë të kontrolleve nga autoritetet shtetërore.
Më gjerë, punëtorët e keqpaguar në kantiere dhe fabrika, dyqane dhe shërbime, janë burimi i parajsës së pak oligarkëve dhe ndihmësve të tyre. Padronët dhe pushtetarët i zhvatin jetën punëtorit në të gjitha kuptimet e fjalës. Jo pa shkak, asnjë funksionar i lartë politik nuk ka mbajtur qëndrim për këtë rast.

Për ne, aktivistët e Organizatës Politike, ngjarja e ditës së djeshme nuk mund të jetë një ndodhi e zakonshme, por shprehje e një situate në limit, e gjendjes së jashtëzakonshme të punëtorëve. Ky shtet i heshtjes e i dhunës dhe kjo ekonomi e vdekjes e varfërisë nuk janë tonat, por skela të mirëmbajtjes së pabarazisë dhe struktura shtypëse të pakicës mbi shumicën dërrmuese të shoqërisë.

Duke shprehur solidaritetin me punëtorët e ndërtimit anekënd Shqipërisë, jemi gati t’i ndihmojmë në përpjekjet e tyre për organizim sindikalist.

Rroftë puna! Rroftë jeta!

Skip to content