
Më 6 korrik 1943, në Gosë të Kavajës u ekzekutuan Margarita dhe Kristaq Tutulani, 18 dhe 22 vjeç, motër dhe vëlla, si dhe luftëtarë të rezistencës antifashiste. Më 4 korrik ata rrethohen dhe më vonë arrestohen në lagjen Mangalem të Beratit, dhe pas dy ditësh tortura intensive nga shërbimi sekret fashist SIM, vriten në krah të njëri-tjetrit dhe ekspozohen për motive terrori buzë rrugës nacionale.
Të rritur në një familje qytetare me tradita patriotike, Kristaqi dhe Margarita braktisën studimet për drejtësi në Universitetin e Firences dhe u kthyen në Berat, ku punuan për përgatitjen e rezistencës. Më 28 nëntor të vitit 1942 qindra qytetarë të Beratit manifestuan kundër pushtimit fashist të Shqipërisë. Margarita u shfaq publikisht në krye të demonstratës duke mbajtur një fjalim të zjarrtë, çka e shpalli atë dhe të vëllanë në kërkim e për pasojë kaluan në ilegalitet.
Në letërkëmbimet e shumta me natyrë intelektuale të Margarita dhe Kristaq Tutulanit, ia vlen të sjellim një fragment ku Margarita shpjegon se si e kupton ajo atdheun: “Vëllai më pyet se ç’është atdheu. Unë i them që atdheu është vendi ynë, i gjyshërve tanë. Por që të kesh një atdhe, duhet që të jesh i lirë”. Ky është edhe mesazhi i madh që përcjellin për të gjitha gjeneratat këta dy martirë të idesë së çlirimit, se atdheu merr kuptim vetëm kur është i lirë, me njerëz të lirë, në betejat për liri. Pra, se liria është dhe duhet të jetë në çdo çast atdheu ynë.