Homazh Srebrenicës!

64286148 2206397059485801 2985275735582703616 n

Nga mbrëmja e 11 korrikut deri më 15 korrik të 1995-ës, në rajonin e Srebrenicës në Bosnje-Hercegovinë, grupet shoviniste në bashkëpunim me forcat ushtarake të shtetit serb kryen atë çka Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë do ta quante gjenocid, ndërsa bota perëndimore aktin më monstruoz të pas Luftës së Dytë Botërore: ekzekutimin e planifikuar të mbi 8000 muslimanëve boshnjakë, nga fëmijë prej 12 vjeç deri pleq në moshë të thyer. Krim ky, egërsia e të cilit, 24 vite më vonë vijon të tmerrojë dhe të turpërojë, por jo edhe të ngjallë reflektimin e nevojshëm.

Më 6 prill të 1992-it, në një Jugosllavi që zhbëhej me shpejtësi, Bashkimi Europian njeh republikën e re dhe të pavarur të Bosnje-Hercegovinës. Po atë ditë, në pjesën lindore të Bosnjes, të banuar nga popullsi serbe, nis një kryengritje civile e cila brenda pak kohësh vë nën kontroll mbi 60% të territorit, duke ndezur kështu Luftën e Bosnjes. Kryengritja e enkllavave serbe nuk ndalet vetëm në territoret e banuara prej tyre, por shtrihet edhe mbi qytetet dhe krahinat boshnjake, që spastrohen përmes dhunës, ekzekutimeve dhe dëbimit.

Më 18 prill, krimineli i luftës Željko Ražnatović, i njohur ndryshe edhe si Arkan, bashkë me njësitin çetnik të Akrepave merr nën kontroll qytetin boshnjak të Srebrenicës, por shpejt, të riorganizuar në kodrat rreth qytetit, boshnjakët arrijnë të rimarrin qytetin e tyre, por jo periferinë e tij, duke e kthyer Srebrenicën në qytet të rrethuar dhe shesh të pandërprerë lufte. Ushtria shtetërore serbe dhe grupacionet paramilitare shoviniste bllokojnë çdo rrugë të furnizimit me ujë, ushqime dhe medikamente mjekësore, duke krijuar një gjendje të rënduar civile në Serbrenicë. Situatë kjo, e cila e detyroi OKB-në përmes rezolutës Nr.819 ta shpallte Srebrenicën “zonë neutrale sigurie”.

Por pavarësisht rezolutës së OKB-së, Srebrenica përsëri nuk i shpëtoi as rrethimit dhe as spastrimit etnik. Trupat ndërkombëtare, përpos ç’armatosjes së popullatës dhe komiteteve boshnjake të mbrojtjes civile, nuk dëshmuan fuqi dhe vullnet për të zbuar rrethimin ushtarak serb në rrethinat e qytetit, i cili vijonte me bllokimin e kanaleve të furnizimit dhe komunikimit, si dhe të provokonte herë pas here praninë ndërkombëtare. Më 6 korrik të 1995-ës, paqja e e paqëndrueshme ndërkombëtare prishet dhe shovinistët serbë kalojnë në ofensivë masive mbi Srebrenicë, ku zë fill edhe kasaphana disa-ditore mbi civilët e ç’armatosur.

Në shumë raporte ndërkombëtare, përveç egersisë kriminale të shovinistëve serbë, dënohet edhe mosveprimi i ndërkombëtarëve, që pavarësisht rezolutave për ndërhyrje në rast përshkallëzimi, nuk e përdorën forcën ushtarake. Sipas Institutit të Dokumenteve Historike të Holandës, shteti protektor holandez ishte në dijeni të sulmit mbi Srebrenicë, por zgjodhi të mos vepronte. Parlamenti i Francës nxori gjeneralin Bernard Zanvier si përgjegjës për pengimin e veprimeve ajrore mbi pozicionet serbe. Po kështu, komandanti i forcave ushtarake të OKB-së, Thom Karremans, akuzohet se refuzoi t’u kthente armët e konfiskuara qytetarëve boshnjakë. Më 1999-ën, Kofi Anan pranoi se OKB kishte bërë shumë gabime në Srebrenicë. Ky rast shërbeu si mësim për parandalimin e aksionit gjenocidial serb mbi Kosovë.

24 vite më vonë, Bosnja vijon të mbetet një shtet i përçarë, jofunksional dhe me tensione të vazhdueshme etnike, ashtu si edhe Kosova, ndërsa shteti serb vijon të mos i pranojë krimet e tij, të mos shkëputet nga strukturat shtetërore shoviniste dhe të mos dorëzojë për gjykim ndërkombëtar kriminelët e luftës. Plagët e luftës vijojnë të mbeten akoma të freskëta në kujtesën qytetare, tek familjarët e të pagjeturve, jetimët, vejushat, invalidët, mijëra gratë e dhunuara seksualisht, vazhdimi i retorikës së konfliktit, diplomacia pa drejtësi e ndërkombëtarëve dhe shtetet e korruptuara përkatëse.

Srebrenica, për të gjithë popujt ballkanas dhe qytetarët e vendeve tona, duhet të ruhet si dëshmi dhe barrikadë historike kundër barbarisë së luftës, shovinizmit, militarizmit dhe qeverimit të mendjeve të sëmura. Srebrenica është po ashtu dëshmi e faktit se fati dhe paqja e çdo populli nuk mund të jetë rezultat i armëve të huaja, por i vigjilencës së brëndshme qytetare. Srebrenica është dëshmi e nevojës sonë ulëritëse, boshnjake, shqiptare apo ballkanike për të përmbysur elitat e luftës dhe të neoliberalizmit, për reflektim dhe kërkim-falje, për paqe dhe solidaritet mes popujsh.

Prandaj, kurrë më!

Jo luftë mes kombesh, jo paqe mes klasash.

Skip to content