
• Ku jemi?
Vendi ynë çdo ditë e më tepër nuk është më i yni, i të shumtëve, i atyre që e kanë ndërtuar dhe e mbajnë në këmbë përmes punës dhe veprimtarive shoqërore të dobishme. Sot Shqipëria është pronë e të paktëve dhe shtet privat.
Një grusht njerëzish kanë privatizuar dhe përvetësuar gjithçka: fabrikat e shkatërruara e të shitura për skrap, ndërmarrjet publike, lulishtet dhe parqet e qytetit, pyjet, tokat e bregdetit, spitalet dhe, së fundmi, rrugët, shkollat, ujësjellësit dhe paratë publike.
Koncesionet, famëkëqijat partneritete publike-private dhe shpenzimet e shfrenuara për bulevarde pa perspektivë e kanë zhytur vendin në borxhe, korrupsion dhe pabarazi. Pasojat e këtyre politikave i vuajmë Ne. Përfitimet i marrin Ata.
Gjithçka që më parë quhej e drejtë njerëzore dhe shoqërore është kthyer në mall. Pa para, nuk shkollohesh, vdes në spitalet e sabotuara dhe askush nuk do t’ia dijë për ty. Vetëm 1 në 4 të rinj do të ketë shtëpi në të ardhmen, kurse 80% e tyre dëshirojnë të largohen nga vendi.
Pabarazia është thelluar me hapa të shpejtë, ndërsa shteti është kthyer në shërbëtor të biznesmenëve të lidhur me partitë. 300’000 njerëz jetojnë me pagë minimale, që formalisht shkon në 26’000 lekë. Mbi 20’000 familje janë përzënë prej skemës së ndihmës ekonomike. Konsumi dhe kursimet kanë rënë. Pak jetojnë në kulla dhe lagje luksoze, shumica në qytete pa jetë, periferi të humbura dhe fshatra pa perspektivë.
Partitë nuk përfaqësojnë më njeri përpos financuesve të tyre. Ato e kanë gjithnjë e më të vështirë të ushqejnë me iluzione mbështetësit e tyre tradicionalë. Kontradikta midis tyre është vetëm për plaçkë. Lufta e tyre nuk është lufta jonë.
• A ka vend për shpresë?
Shpresa nuk është produkt i imagjinatës bujare. Në Shqipërinë e sotme ajo bazohet në rezistencën dhe vetëdijen në rritje të shoqërisë. Njerëzit rebelohen çdo ditë. Diku për rrugë, diku për ujë, diku për punë, diku për shkollë, diku për pyje, diku duke bërë gati valixhet dhe diku tjetër duke i fryrë zjarrit të brendshëm në heshtje. Po këto revolta, të vogla e të mëdha, janë spontane dhe pa vazhdimësi.
Pika më e lartë e revoltës shoqërore u arrit me protestat madhështore të studentëve, të cilat na treguan potencialet e fshehura dhe të pamata të shumësisë shoqërore. Studentët i provuan shoqërisë se kur pakënaqësia bëhet bashkë me vetorganizimin dhe entuziazmin, prodhon një fuqi politike aq të madhe sa të lërë pa gojë krejt sistemin partiak.
Të frymëzuara prej rezistencës masive studentore, grupe të tjera shoqërore po ngrenë krye. Punëtorët, në radhë të parë, të cilët po nisin jo vetëm të artikulojnë publikisht zërin e protestës, por edhe të strukturoren në sindikata të reja, të pavarura e vitale demokratikisht.
Hopi cilësor që nevojitet tanimë është ndërtimi i një lëvizjeje të madhe shoqërore, që i lidh këto çështje dhe këta njerëz të krahut e të mendjes rreth një ideje të lartë e të qartë, që sjell shpresë për ndryshime pozitive në shoqëri. Që kjo lëvizje të jetësohet, nevojiten organizime të shumëfishta. Njëra prej tyre – me potencialin më të madh për zgjerim, fuqizim, rezistencë dhe shpresë – është ORGANIZATA POLITIKE.
• Përse duhet të angazhohemi?
Sepse ne nuk dëshirojmë të përfundojmë në njerëz të thyer e të dëshpëruar. Sepse deri më sot popullin e kanë bërë të shpresojë tek ideja e gënjeshtërt se jeta nuk përmirësohet kolektivisht, por veç individualisht. “Hesht! Shiko punët e tua! Ç’të duhet ty?!” Rezultati? Pothuajse të gjithë duan të largohen.
Nëse duam ta ndërtojmë jetën në vendin tonë, na mbeten dy rrugë: të rropatemi duke fajësuar veten në kërkim të milionave, ose të bashkohemi rreth një ideje, lëvizjeje, organizate dhe alternative. Dhe përmes këtij bashkimi të hedhim themelet e jetësimit të drejtësisë shoqërore, demokracisë së vërtetë, emancipimit të shumanshëm dhe mirëqenies për të gjithë. Çdo rrugë tjetër është humbje kohe.
• Përse ORGANIZATA POLITIKE?
Në më shumë se tetë vjet kemi treguar se jemi jo vetëm një bashkësi aktivistësh me ide, qëndrime dhe veprime rrënjësisht të ndryshme prej politikës njëzetecavjeçare, por edhe e vetmja organizatë mirëfilli politike në vend. Për ne, organizimi nuk është çështje heroizmi, por dedikimi të palodhur. Politika nuk është punë pazari, por parimesh. Realiteti nuk është i palëvizshëm, por i ndryshueshëm.
ORGANIZATA POLITIKE nuk është qëllim në vetvete, por mjet për ndryshime. Është hapësira ku njerëzit, përmes diskutimit dhe veprimit, kuptojnë fuqinë e tyre. Ne besojmë se është i mundshëm ndërtimi i një lëvizjeje të madhe njerëzish që mendojnë dhe veprojnë për mirë, në shkollë dhe në punë, në qytete e fshatra, që munden t’i dalin zot vetes dhe shoqërisë.
• Mbi ç’parime mbështetemi?
Dy boshtet kryesore parimore të OP janë drejtësia shoqërore dhe forma demokratike e organizimit. Drejtësia shoqërore realizohet atëherë kur çdokush mund të kryejë punë të dinjitetshme, të zhvillojë veten profesionalisht dhe intelektualisht, të përmirësohet si njeri dhe qytetar, të jetojë i begatë dhe pa ia pasur frikën asgjëje e askujt, si dhe të ndërtojë bashkë me të tjerët institucione politike dhe shoqërore demokratike.
Që këto të realizohen, nevojitet një rithemelim i strukturës ekonomike të vendit. Jeta ekonomike duhet të orientohet drejt prodhimit si nëpërmjet orientimit të kapitalit privat në sektorët prodhues, ashtu edhe kthimit në administrim publik të pasurive natyrore dhe shërbimeve publike themelore. Pjesën më të madhe të barrës financiare të këtij ristrukturimi ekonomik duhet ta mbajnë korporatat dhe të pasurit. Prej taksimit seriozisht progresiv të këtyre të fundit, shtimit të të ardhurave nga rizotërimi publik i pasurive të përbashkëta dhe gjallërimit të jetës ekonomike mund të sigurohet përmbushja e të drejtave themelore shoqërore për të gjithë: puna, arsimi, shëndetësia, strehimi etj.
Nevojitet gjithashtu një konceptim i ri i raportit të ekonomisë me natyrën, që e konsideron këtë të fundit jo vetëm si rezervë lëndësh të para, por edhe si habitat ku njeriu përmbushet. Si dhe një përfytyrim i ri dhe barazimtar i marrëdhënieve gjinore dhe i rolit të bashkësive të margjinalizuara.
Sa më sipër nuk është utopi, por vizion. Vizionin mund ta ketë çdo njeri ose grup i vogël. Po instrumentet për ta sendërtuar mund t’i prodhojë vetëm një organizatë e gjerë, e fortë dhe demokratike.
Organizativisht na bashkojnë parimet e demokracisë së brendshme radikale, ku çdo aktivist ka fuqi dhe zë të barabartë, ku pas debateve të gjata triumfon ideja më e mirë, jo ideatori më i zotë dhe ku kompetencat e përkohshme shoqërohen me përgjegjësi të përhershme. Transparenca në akte dhe sinqeriteti në diskutime, respekti për tjetrin dhe zbatimi i përpiktë i detyrave janë themelore për ekzistencën e organizatës. Mënyra se si organizohemi së brendshmi ndërton në miniaturë imazhin e asaj se si do të donim të organizohej shoqëria në tërësi.
Që parimet e mësipërme të mos mbeten në letër, kërkojmë nga njëri-tjetri lexim të vazhdueshëm e me sy kritik, vënie në diskutim të mendimeve paraprake dhe kontekstualizim të jetësimit të parimeve. Dija, fjala, organizimi, guximi dhe veprimi janë armët tona kundër të keqes banale që ka zaptuar shoqërinë. Ne besojmë në mundësinë e zgjerimit dhe rritjes së një brezi të ri aktivistësh politikë me përgatitje serioze dhe prejardhje nga klasat e gjera popullore.
Në organizatë nuk ka heronj. Secili bën aq sa mundet dhe, në e kërkoftë situata, edhe më shumë nga ç’ka menduar se mundet.
• Anëtar apo aktivist?
Angazhimi në Organizatën Politike ka dy shkallë: 1. Aktivistët, të cilët janë pjesë e punës së përditshme politike; 2. Anëtarët, të cilët kanë mundësi kohore dhe angazhim më të kufizuar. Mbledhja e aktivistëve mbahet së paku një herë në javë, kurse mbledhja e përbashkët e aktivistëve dhe anëtarëve mbahet së paku dy herë në vit. Çdo anëtar që ka vullnetin dhe mundësinë e angazhimit politik intensiv mund të bëhet aktivist. Organizata funksionon në bazë të ndarjes në grupe pune të përhershme dhe të përkohshme.
Organizata është një trup politik i lëvizshëm dhe i gjallë. Fletushka që ke përpara po shpërndahet te shumë të tjerë si ti anembanë vendit. Është koha të bëhemi shumë dhe të fuqishëm.
Bashkoju përpjekjes sonë!
***
Mund të bëheni pjesë e Organizatës Politike:
– duke klikuar këtu: http://organizatapolitike.org/bashkohu/;
– duke na vizituar në qendrën sociale Logu i Shkëndijës;
– duke na kontaktuar në adresën e e-mailit: organizatapolitikeop@gmail.com;
– duke na kontaktuar me mesazh në faqen e facebook-ut https://www.facebook.com/orgpol/.
Zemrat bashkë, mendjet bashkë,
E ardhmja është e të gjithëve!