
Tri dekada pas firmave piramidale, luftës civile, privatizimit total dhe korruptiv të pasurisë publike, vrasjeve politike në bulevard dhe Gërdec, reformave që shpunë drejt burgut dhe vdekjes së qytetarëve të varfër, koncesioneve dhe abuzimit; Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste Për Integrim, po e vendosin vendin para rrezikut të destabilizimit dhe dhunës së pajustifikuar politike.
Ne, qytetarët e këtij vendi, fëmijët dhe familjet tona, nuk kemi përse të paguajmë urinë për më shumë koncesione të kryeministrit Rama dhe as nevojën për pushtet në tavolinë të Z. Basha. Fundja, janë këta dhe politikat e tyre që kanë varfëruar shumicën dërrmuese të popullatës dhe pasuruar një grusht të vogël oligarkësh të cilët i njohim me emra dhe mbiemra.
Ndaj, ditën e martë, ora 19:00, mblidhemi sa më të shumtë tek Partizani i Panjohur për të shprehur publikisht se kjo nuk është lufta jonë, nuk është lufta e popullatës për punë dhe perspektivë, por lufta midis tri partive në shërbim të një oligarkie.