
Shqipëria sundohet nga një grusht keqbërësish. Ata kanë zënë pozitat kyçe në ekonomi dhe politikë. Shumësia është gjithnjë e më e përjashtuar nga mundësitë ekonomike, ndikimi politik dhe të drejtat shoqërore. Mirëpo kurrë më fort se sot shumica dërrmuese e qytetarëve nuk është ndjerë më e papërfaqësuar, çka e ka futur regjimin në krizë të pakapërcyeshme.
Pse duhet refuzuar ky regjim?
Shqipëria qeveriset keq. Politikat publike kanë për synim krijimin dhe thellimin e privilegjeve. Burimet natyrore, mundësitë ekonomike, të drejtat shoqërore, hapësirat publike, mjedisi dhe çdo gjë me vlerë po tjetërsohen përpara syve tanë.
Kriza politike është në fakt krizë sistemore. Riciklimi i vazhdueshëm i keqbërësve në pushtet që luajnë me të njëjtat rregulla loje, i çlegjitimon ata në sytë e shoqërisë. Ngërçi i krijuar politik është tentativa e radhës për legjitimitet, kur problem mbetet struktura e ngritur dhe mendësia e qeverisjes.
Qeveria aktuale është kampione e shkatërrimit të të përbashkëtave. Gjithçka po përvetësohet ethshëm në një partneritet pervers midis sundimtarëve politikë dhe oligarkisë ekonomike.
Opozita formale është po aq përgjegjëse për situatën ku ndodhemi. Qeverisja e tyre e dikurshme ka funksionuar sipas të njëjtës logjikë, ndërsa paaftësia dhe kompromentimi i tanishëm politik nuk lenë vend për asnjë shpresë se ky regjim mund të reformohet së brendshmi.
Partitë aktuale vetëm politike nuk janë. Politikja është ndërhyrje barazimtare (demokratike) e qytetarëve në punët e përbashkëta, ndërkaq partitë janë grupime private, paramoderne dhe gjysmëkriminale të trafikut të favoreve. Ato ekzistojnë vetëm në saje të ortakërisë së sotme dhe të premtuar me oligarkët dhe thurjes së një rrjeti klientelist që e paralizon shoqërinë duke parazituar brenda saj.
Kuadri kushtetues dhe ligjor në fuqi, si dhe akumulimi monopolist i pushtetit politik, ekonomik dhe ideologjik e pamundësojnë bërjen pjesë e këtij regjimi për ta ndryshuar atë nga brenda. Prandaj ai duhet të refuzohet.
Akti themeltar i refuzimit është bojkotimi i zgjedhjeve të ardhshme, por edhe i çfarëdo zgjedhjesh të përgjithshme që mund të mbahen nga pazari i radhës midis palëve. Shumica dërrmuese e votuesve i përçmon partitë për të cilat voton, por motivohet nga iluzioni i të keqes më të vogël, teksa e keqja sa shkon e thellohet, vit pas viti. Po biem pre e betejave ideologjike imagjinare që sundimtarët nxisin midis nesh, e kështu ne luftojmë njëri-tjetrin në vend se të luftojmë kundër atyre.
Pjesëmarrja në votime është oksigjeni ideologjik i një regjimi që mbahet në fuqi në mënyrë artificiale. Rënia e fortë e numrit të votuesve do ta thellonte krizën politike. Shoqëria do të bëhej e paqeverisshme, çka do të mundësonte çeljen e hapësirës së artikulimit të alternativave të reja politike.
Si të luftojmë?
Bojkotimi i zgjedhjeve është vetëm njëri prej shumë hapave që duhet të hedhim së bashku në rrugën e demokracisë dhe drejtësisë shoqërore. Lypet që të gjithë – në qytete e fshatra, në punë e shkollë, në lagje e sheshe – të komunikojmë dhe të ndërtojmë së bashku një rrjet të fortë organizimi dhe veprimi politik. Vatrat e rezistencës që janë ngritur tashmë, si kundërpërgjigje ndaj valës shkatërruese të regjimit, duhet të konsolidohen dhe të zgjerohen – të zhveshura ama nga iluzioni se rotacioni në pushtet i partive aktuale do të sjellë ndonjëherë zgjidhjen reale të problemeve tona.
Ne kemi nevojë të njohim njëri-tjetrin, të zbulojmë se të përbashkëtat janë shumë më themelore se ato që na ndajnë dhe të ndërgjegjësohemi për fuqinë tonë kolektive. Po mbi të gjitha duhet të veprojmë.
Protestat nuk mund të shërbejnë vetëm për të ngritur zërin, por për ta shndërruar atë në trup politik që me fuqinë e vet rrëzon muret e privilegjeve. Ato kanë sukses jo vetëm kur janë masive dhe të shpeshta, por kur ia dalin të institucionalizojnë zërin qytetar në vendimmarrje dhe kur shoqërohen me të tjera aksione direkte si grevat në vendet e punës, bojkotet e shkollës, zëniet çliruese të hapësirave publike dhe bllokimet fizike të çdo tentative përvetësuese.
Demokracia nuk është thjesht aspiratë për të ardhmen, por formë organizimi dhe frymë solidariteti që lindin në përpjekjet e sotme për drejtësi shoqërore.
Çfarë të krijojmë?
Demokracia në Shqipëri ka mbetur gjithnjë në letër. Barazia politike midis qytetarëve ka qenë një rreckë që u ka shërbyer regjimeve të ndryshme për të fshehur lakuriqësinë e privilegjeve politike dhe ekonomike. Prandaj lufta jonë është përpara së gjithash për demokraci përmbajtësore.
- Ka demokraci kur iniciativën politike e marrin qytetarët.
- Ka demokraci kur ligjet dhe vendimet kryesore politike merren nëpërmjet ushtrimit të drejtpërdrejtë të vullnetit të popullit në referendume.
- Ka demokraci kur punëtorët organizohen në sindikata të pavarura dhe të fuqishme.
- Ka demokraci kur studentët organizohen në unione që mbrojnë të drejtat e tyre dhe rikrijojnë universitetin.
- Ka demokraci kur të vetëpunësuarit dhe sipërmarrësit e vegjël organizohen në shoqata.
- Ka demokraci kur banorët organizohen në kolektivë pallatesh dhe lagjesh.
- Ka demokraci kur liria, barazia, puna, paga dinjitoze, minimumi jetik, emancipimi gjinor, arsimimi, kujdesi shëndetësor, mjedisi, zhvillimi kulturor etj. shndërrohen në të drejta reale për të gjithë.
- Ka demokraci kur, mbi të gjitha, vullneti i popullit rikushteton rendin institucional duke marrë njëherë e përgjithmonë sovranitetin aktiv.
Sot e çdo ditë: REFUZOJMË, LUFTOJMË, KRIJOJMË!
/Organizata Politike/