
Më 1924, Faik Konica shkroi romanin e pambaruar “Doktor Gjilpëra zbulon rrënjët e dramës së Mamurrasit”, ku portretizon vrasjen e dy turistëve amerikanë si dhe shoqërinë absurde të kohës. Ironikisht, kjo dramë vijon të mbetet e pambarueshme, sidomos në qytezën e Mamurrasit. Brenda një dite dy të rinj kanë gjetur brutalisht vdekjen. A.S. 14 vjeç dhe I.P. 27 vjeç, ky i fundit baba i ri, ish-azilant dhe njeri i dashur për komunitetin.
Prej kohësh ky qytet është njësuar me të keqen si qytezë gangsterësh dhe militantësh të kaosit. Nga analistë shërbëtorë të pushtetit dhe politikanë si Veliaj, të cilët, në emër të qytetarisë, diskriminojnë mbi baza sociale e lokaliste. Mamurrasi, kjo krijesë industriale me popullsi të punës dhe paqes që deri më dje pagëzohej Qytezë e Mimozave, sot është kthyer në ferr. Më tepër se me një qytet të zakonshëm, Mamurrasi shëmbëllen me një kamp përqendrimi në gjendje të jashtëzakonshme. Përse?
Me ndryshimin e sistemit në fillim të viteve ’90, fabrikat dhe ofiçinat, fermat dhe vreshtat u shkatërruan në emër të antikomunizmit dhe e vetmja formë mbijetese mbeti emigrimi, dhuna dhe solidariteti fisnor. Shkollat e qytetit janë ndërtesa të rrënuara, paçka se qyteti ka qindra të rinj për shkak të lindshmërisë së lartë. Familjet janë shkatërruar nga varfëria kronike. Spitali ngjason me një zgëq të ndyrë. Policia nuk ekziston, përveçse në konflikte fatale, ku autoblindat ushtrojnë terror si në gjendje lufte. Në Mamurras shteti është armik.
Ky qytet, ndryshe nga ç’reklamohet, nuk është e keqja e vetëvetes, por krijesë monstruoze e atyre që na qeverisën me sistemin brutal socio-ekonomik. Këto tri dekada të gjitha partitë kanë emëruar në krye të qytetit njerëz pa integritet dhe vizion, të cilët nuk i kanë artikuluar kurrë hallet e qytetarëve, por kanë shërbyer si kukulla të heshtura. Askush nuk flet për të rinjtë që sillen të vdekur dhe psiqikisht të shkatërruar nga kurbeti.
As kryeministri Rama që, teksa hipte në pushtet, e quajti Mamurrasin lagje tiranase për të cilën do të kujdesej personalisht, por që sot vë interesat e pështira të partisë para jetëve njerëzore duke përjashtuar nga grupi parlamentar deputetin Gjetan Gjetani se ky i fundit kritikoi policinë për situatën e krijuar në zonë: situatën e eksplozivit dhe dhunës së shfrenuar. Fundja, a nuk është Rama dhunuesi më i madh i njerëzve të thjeshtë?!
Por ky qytet, që është shprehja më e qartë e braktisjes, zvetënimit, varfërisë dhe dhunës së periferisë, do të mund të rimëkëmbet. Jo nga ata që e kanë poshtëruar, por nga vajzat dhe djemtë e tij më të mirë, të cilët nuk janë të paktë. Përqendrimi i pasurisë në Tiranë e bën periferinë të ziejë. Dhe nuk do të jetë e largët dita kur zierja të eskalojë në shpërthim social. Atë ditë, njerëzit e Mamurrasit nuk do të urrejnë njëri-tjetrin, por do ta drejtojnë zemërimin aty ku duhet: te shkatërruesit me kollare të jetëve të tyre.
Gjer atëherë, le të reflektojmë mbi jetët e prera në mes dhe lotët e dhimbjes t’i kthejmë në armë lufte.