
Akti i kryer ndaj gazetares investigative Klodiana Lala, familja e së cilës u vu nën shënjestrën e armëve të krimit të organizuar, na ka shokuar të gjithëve, por edhe na ka bashkuar në solidaritetin ndaj saj.
Klodiana Lala po lufton me guximin e një gazetareje të vërtetë të keqen e rrënjosur thellë në shoqërinë tonë, gjë që duhej ta bënte çdo polic, prokuror a pushtetar. Por krimi nuk ka frikë prej tyre ngaqë është pjellë e pazareve parapolitike dhe shpesh e më shpesh mbahet me para publike.
Rasti i Klodiana Lalës tregon se sot, me qindra dhe mijëra gazetarët e punësuar në median e shkruar dhe vizive janë të pambrojtur. Pikë së pari janë të pambrojtur kundrejt gënjeshtrës e dhunës së kthyer në sistem prej njeriut të pushtetshëm dhe ortakëve të tij.
Së dyti, shumica e gazetarëve janë të keqpaguar dhe të censuruar në punën e tyre kërkimore e kreative. Me mijëra gazetarë të rinj abuzohen në zgëqet e portaleve fantazmë që jetojnë përmes gjobave. Sepse media nuk është më hapësirë pasionante e fjalës së lirë, por mekanizëm në shërbim të interesave të biznesit dhe pushtetit.
Kësisoj, roli kritik i gazetarit dhe autoriteti i të vërtetës në shoqëri është cënuar rëndë. Edhe prej faktit se qeveria aktuale ka ndërmarë disa fushata linçuese ndaj figurës së gazetarëve duke i quajtur papagaj, kazanë dhe gënjeshtarë, athua se ata janë e keqja e vendit dhe jo aferat korruptive nën tryeza të qeverisë.
Për rrjedhojë, krimi nuk e ka fare problem që sot të kërcënojë dhe nesër ta bëjë realitet tragjik kërcënimin. Krimi është gjithnjë ortak në biznes i çdo pushteti që nuk është në shërbim të interesave të qytetarëve. Por ne kemi besim tek integriteti i Klodiana Lalës, puna dhe qëndresa e së cilës ngjall shpresë. Si dhe tek çdo gazetar tjetër, i ri dhe i pakorruptueshëm.
Nuk bën të trembemi. Lufta për drejtësi është e vështirë, por në fund e vërteta dhe interesi publik do të ngadhënjejnë.