
Si sot, me 26 gusht të 1938, vdes në spitalin tuberkular të Torre Feliçes në Torino, poeti dhe prozatori i pazakontë Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni). Veç 27 vjeç, jeta dhe krijimtaria e poetit ishte, siç e përkufizoi shkrimtari Ismail Kadare në librin me të njëjtin titull: “uragan i ndërprerë i letërsisë shqipe”.
Po aty, teksa historizon letrat shqipe nëpër kohëra, Kadare e cilëson Migjenin si përfaqësuesin kulminant të modernitetit në letërsinë tonë. Ndërsa prof. Alfred Uçi në punimin shterues “Estetika neomigjeniane” shpërfaq linjat filozofike të leximeve dhe krijimeve të Migjenit si ekzistencializmi rus, simbolizmi francez dhe filozofia gjermane.
Studiuesi i gjuhes dhe letërsisë Arshi Pipa thotë se “Migjeni e konsideronte veten si një misionar, detyra e të cilit ishte të shpallë një moralitet të ri për të ardhmen. Origjinaliteti i tij shtrihet në hapjen prej tij të portave të letërsisë shqipe për problemet sociale”. Ndërkohë shkrimtari rumun Moraru është shprehur se: “Unë kam qarë kur lexova Migjenin. Mua nuk më vjen turp të them se qava, por më vjen turp të them që vetëm tani, në moshën 43 vjeç, munda ta njoh këtë poet të mrekullueshëm”.
Jeta e Migjenit është po aq interesante sa vepra e tij. I arsimuar në shkollën ortodokse të Manastirit, ai refuzoi t’i ndiqte studimet e larta për fetari. Nga 1934 deri në 1937 punoi si mësues në Shkodër dhe në Pukë ku shkroi edhe pjesën më të madhe të poezive dhe prozave. Bashkëpunoi me revista si “Bota e re” dhe në 1936 botoi “Vargjet e lira” të cilat u çensuruan nga regjimi monarkist. Në Shkodër ai lidhi miqësi me figura subversive si Jordan Misja, Petro Marko dhe Skënder Luarasi.
Poezia dhe proza e Migjenit është e mirënjohur për të gjithë brezat e shkollarëve, punëtorë a shkencëtarë qofshin. “Poema e mjerimit” mbetet lapidare në kujtesen kolektive, ndërsa në prozë, personazhe si Lukja, Luli i vogël, trumcaku melankolik dhe studenti i kthyer në shtëpi, simbole të universalizueshme në çdo kohë të varfërisë, errësirës, paradokseve, njerëzve fatkeqë dhe aspiratës së tyre për drejtësi sociale.
Prandaj, Migjeni vazhdon të mbetet tejet aktual dhe poezi e së ardhmes për ne, të bijtë e shekullit të ri.