Antipropagandë

40460076 1754989994626512 8639044244494876672 o

Kryeministri “habitet” me varfërinë ekrstreme të familjes së Hysen Zhupanit, qytetarit nga Shijaku. Por në fakt habia e Kryeministrit është sa e gënjeshtërt, aq edhe shprehje e dy botëve krejt të kundërta në të cilat jetojnë Rama dhe Zhupani.

E gënjeshtërt sepse a nuk është ky Kryeministër që përzuri mbi 20 mijë familje nga ndihma sociale 4 mijë lekëshe dhe quajti çdo të varfër që nuk paguan energjinë elektrike të pandershëm dhe kriminel? A nuk është ky Kryeministër që do të taksojë puset e ujit dhe kazanët e rakisë?

E dy botëve të ndryshme ngaqë Kryeministri, ndryshe nga Hysen Zhupani, nuk jeton në realitete tokësore të njeriut të thjeshtë të punës e të halleve, por në lartësitë helikopterike të statistikave, taksave dhe tenderave. Kryeministri jeton me të pasurit, punon për të pasurit dhe është vetë i pasur.

Mirëpo Hysen Zhupani nuk është rast i izoluar për të cilin duhet të derdhim lot. Ne duhet ta refuzojmë versionin bamirës të varfërisë, spektakël që u shërben deputetëve me 20 apartamente por që nuk votojnë ligjin për strehimin social apo minimumin jetik. Apo biznesmenëve të mëdhenj që shfrytëzojnë me pagë minimale mijëra e mijëra punëtorë.

Varfëria është realitet i rrënjosur thellë dhe anekënd vendit ndodhen me mijëra familje si e Hysen Zhupanit. I varfër nuk është vetëm ai që s’ka çati mbi krye, por edhe qytetari me apartament në pallatet socialiste që mezi mbijeton dhe studenti që punon dhjetë orë si kamarier apo gazetar për të paguar qiranë. Varfëria është më e larmishme dhe masive nga ç’mendohet zakonisht.

Tek të varfërit nuk duhet të shohim mëshirën, por fuqinë e tyre shpirtërore dhe politike, regjimin e padrejtësisë dhe fundin e afërt të tij.

Skip to content