
Qëndrimi i Partisë së Punëtorëve Socialistë të Greqisë (ΣEK) mbi ngjarjet tragjike në vendin fqinj, me flakët që kanë përpirë deri tani jetët e mbi 60 personave.
Ne mbajmë zi për të vdekurit nga zjarret – NDAL SHKURTIMEVE DHE SUFICITEVE BUXHETORE VRASTARE
Shprehim ngushëllimet tona ndaj familjeve të dhjetëra të pafajshmëve që u dogjën për së gjalli në përpjekje për t’i shpëtuar makthit që kaploi shtëpitë dhe jetët e tyre në Rafina.
“I pazakontë” është fjala që përdori kryeministri Cipras për të përshkruar zjarrin, njësoj si paraardhësi i tij Karamanlis për zjarret e 2007-s.
Por zjarri që shkaktoi këtë kërdi nuk ishte “i pazakontë”. Ai është pasojë e vetë natyrës së një sistemi në ndjekje të fitimeve për hir të një grushti kapitalistësh lakmitarë që i kanë kthyer pyjet në gracka të vdekjes.
Shkatërrimi i pyjeve, shitja për dy lekë e tyre te ndërtuesit e papërgjegjshëm, tregtarizimi i tyre dhe tharja e përrenjve, kanë shkaktuar një katastrofë mjedisore ku çdo shkëndijë mund t’i kthejë edhe zonat e banuara në ferr.
Ne përjetuam edhe tragjedinë e Mandras ku 24 vetë u mbytën si pasojë e ndërtimit në zona anës-lumore që përmbyten.
Ngrohja globale është rezultat i kapitalizmit që nevojat tona dhe vetë jetën në planet ia ka nënshtruar fitimeve të industrisë së naftës dhe të automobilave. Fitimet e tyre mbartin koston e jetëve njerëzore.
“Të pazakonta” janë shkurtimet buxhetore ndaj mbrojtjes së pyjeve dhe Zjarrfikësve.
Është dora e kobshme e suficiteve buxhetore, me shkurtimet mizore dhe privatizimet e shërbimeve që e bën të pamundur mbrojtjen e njerëzve dhe shuarjen e zjarreve, që të mos na duhet të vajtojmë për jetët e humbura.
Ndërkohë që qeveria shpenzon 2.5 përqind të PBB për armatime, për luftë dhe për të blerë fregata, shpenzimi më i lartë për armatime pas SHBA-së në NATO, ajo vazhdon të shkurojë shpenzimet për luftën ndaj zjarrit, nga 500 milion euro në vitin 2009 në 397 milion këtë vit.
Flota e avionëve për shuarjen e zjarreve nuk mjafton – e megjithatë nuk fuqizohet.
Canadair (avionë për shuarjen e zjarreve) kanë mbi 40 vjet që fluturojnë pa asnjë përmirësim. Zjarrfikësit punojnë në kushte të mjerueshme, pa stafin e nevojshëm, ndërkohë që stafi me kontratë të përkohshme pushohet nga puna në përfundim të kontratës.
Janë shkurtuar gjithashtu paratë për mbrojtjen e pyjeve dhe për mirëmbajtjen e sistemit kundër zjarrit dhe depozitat e ujit. Privatizimet e DEI (energjisë) dhe EYDAP (ujit) nënkuptojnë një rrezik më të madh nga rrjeti energjitik i cili ka ngelur pa mbikqyrës dhe pamundësi për të marrë ujë nga stacionet e pompimit në momentet më kritike.
Në të njëjtën kohë, për shkak të shkurtimeve barbare në shëndetësi, njerëzit vdiqën nga probleme me frymëmarrjen ndërkohë që Spitali Sotiria vuante nga një mungesë serioze e personelit dhe nga pamundësia për kryerjen e proceseve. Në zonën e Rafinas, të gjitha qendrat shëndetësore punojnë nën kapacitete.
Ne nuk do t’i lejojmë demagogët e Demokracisë së Re dhe ekstremin e djathtë të paraqiten si shpëtimtarë në një kohë kur prej vitesh kanë mbështetur politikat e shkurtimeve dhe shkatërrimit të ambientit.
Lëvizja e punëtorëve duhet të ndërmarrë një hap para në mënyrë që të krijojë solidaritet dhe mbështetje për viktimat e zjarrit. Ne kërkojmë mbështetje të menjëhershme për familjarët e të vdekurve. Strehim për të gjithë të prekurit nga zjarri me përgjegjësi të shtetit. Dëmshpërblim të menjëhershëm dhe përjashtim nga taksat.
I kërkojmë qeverisë në këtë moment të ndalojë politikën vrastare të 3.5 përqind suficitit buxhetor për pagesën e borxhit ndaj një grushti bankierësh, FMN-së dhe BE-së.
Anuloni borxhin, jo jetët dhe nevojat tona.
Financoni Zjarrëfikësit tani dhe vijoni me demilitarizimin e tyre, me punësime masive dhe vende të sigurta pune për punëtorët me kontratë. Bleni tani avionë zjarrfikës, helikopterë dhe mjete të tjera.
Financoni mbrojtjen e pyjeve duke hapur rrugë të reja në pyje, linja për zjarrfikëset, mirëmbajtje të depozitave të ujit dhe sistemit kundër zjarrit.
Ka ardhur koha për lëvizjen punëtore të ndërhyjë për të shpëtuar jetë njerëzish nga tërbimi shkatërrimtar i sistemit i cili zhytet thellë e më thellë në krizë dhe për të këmbëngukur në qëndrimin se ne nuk do paguajmë një taksë gjaku për fitimet e tyre vrastare.