Kush do trupin ta harrojë shpirtin dhe kush do shpirtin ta harrojë trupin

37868251 1696898657102313 7133897926551535616 n

Sot, vdiq Adem Demaçi, i quajtur edhe Mandela i Kosovës. I lindur me 26 shkurt 1936 në një familje të varfër, Demaçi kreu shkollën fillore dhe gjimnazin përgjatë një atmosfere të ndezur politike dhe historike ku, pavarësisht moshës së re dhe shtatit të shkurtër, shkaktoi goxha telashe me kureshtjen mbi fatet e popullit të tij.

Demaçi ndoqi Fakultetin Juridik në Prishtinë dhe atë të Letërsisë Botërore në Beograd, ku spikati për inteligjencën dhe seriozitetin në studime, si dhe u njoh me disa autoritete të ardhshme letrare si Danilo Kishi etj. Më 1956, me ndihmën e Esad Mekulit, botoi në dy pjesë romanin e famshëm e të popullarizuar “Gjarpërinjt e gjakut”, çka çoi në arrestimin e tij më 1958. Para gjykatës Demaçi jo vetëm që nuk u tremb, por kaloi në ofensivë duke kritikuar dhunën ndaj shqiptarëve: “Nëse nuk hiqet dorë nga kjo politikë, nuk do të keni as Kosovë dhe as Jugosllavi”.

Qëndrimi i Demaçit në gjyqin e 1956 si dhe në gjyqet e mëvonshme të 1964 dhe 1975, ku vuajti rreth 28 vite burg, e kthyen atë në simbol të aspiratës për liri, barazi dhe pavarësi të shqiptarëve të Kosovës. Më 1964 ai u arrestua bashkë me dhjetëra militantë për krijimin e “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” dhe u dënua me 10 vite burg. Më 1975 Demaçi u arrestua sërish në sajë të një procesi të montuar bashkë me aktivistë të rinj të çështjes së republikës dhe barazisë midis kombeve.

Pas lirimit nga burgu në vitet ’90, aktiviteti politik dhe publicistik i Demaçit vazhdoi në sekuenca të tjera. Vlera e tij intelektuale, edhe sot pas vdekjes, do të vijojë të mbetet e pakontestueshme. Për ta kuptuar më mirë jetën dhe idetë e tij, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, ia vlen të lexohet vepra autobiografike “Dashuria kuantike e Filanit”, ku mund të nxirren shumë mësime dhe shënime mbi rrugën e mundimshme të revolucionarit drejt realizimit të qëllimeve.

“Nëse do trupin, harroje shpirtin – e nëse do shpirtin, harroje trupin.” Kjo filozofi, e përftuar gjatë ditëve të gjata të burgut, u bë vullnet për të rezistuar. Po kështu, shkrimi i emrit të tij në një copë letër dhe djegia e saj, të kujtuara në “Dashurinë kuantike të Filanit”, shpreh shkrirjen e plotë të trupit, mendjes dhe zemrës me çështjen e popullit, si dhe faktin se, përveç kushteve objektive, çdo popull dhe situatë historike ka nevojë për një subjektivitet aq thellë sa shpërfill rreziqet dhe joshjet që i kanosen jetës individuale. Një tjetër qëndrim për t’u lavdëruar i Demaçit është fakti se përtej dhimbjes, ai e ruajti arsyen, s’kaloi në shovinizëm, por shprehu respekt për popullin e thjeshtë serb, duke e cilësuar si “popull politik, patriotik, i sakrificës, por i marrë peng nga politika ushtarako-policore”.

Prandaj ne, aktivistët e ORGANIZATËS POLITIKE, shprehim nderimet tona ndaj të ndjerit dhe ndaj çdo aktivisti e qytetari të thjeshtë të Kosovës, për të cilët figura e Adem Demaçit ka qenë simbol i dijes që reziston për liri dhe humanitet. Popullit dhe kohës tonë i nevojiten sa më shumë njerëz të ngjashëm me Adem Demaçin, si mundësi për të dalë nga shtypja dhe pabarazia, tashmë të brendshme.

Skip to content