
5 Maji është Dita e Dëshmorëve. Si çdo ngjarje me rëndësi historike edhe kjo datë është minimizuar në ceremoni të zbrazur prej çdo kuptimi kolektiv dhe emancipues. Aq sa privatizuesit e të përbashkëtës dhe shkelësit e dinjitetit njerëzor, me kurora lulesh dhe lavde boshe, rreshtohen me paturpësi kundrejt burrave dhe grave që dhanë jetën në luftën për liri.
Prandaj sot, përkundër nderimeve të enveristëve/pësëistëve që adhurojnë tek lufta nacionalçlirimtare pushtetin e pakufizuar të diktatorit Hoxha dhe pëdëistëve/monarkistëve që shpresojnë të korrin kredo politike me luftën kundër fantazmës së komunizmit, ne, aktivistët e majtë të OP-së, përkujtojmë me krenari idealin dhe rezistencën e mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, për një Shqipëri të lirë, të drejtë dhe demokratike.
Përkujtojmë Margarita dhe Kristaq Tutulanin, Vojo Kushin dhe Vasil Shanton, Qemal Stafën dhe Liri Geron, Bule Naipin dhe Persefoni Kokëdhimën, pra të gjithë ata djem dhe vajza që ranë trimërisht në lule të rinisë për një shoqëri të re, të popullit dhe prej popullit. Por mbi të gjitha përkujtojmë idealet e ndritura të luftës antifashiste si liria, drejtësia, buka, toka, puna, shkolla, sovraniteti dhe barazia midis njerëzve, ideale këto që vazhdojnë të shiten për pakogjë në tregun e zi të politikës.
Lavdi dëshmorëve dhe sakrificës së tyre.