Sot bëhen 7 vjet nga 21 janari i vitit 2011, kur katër protestues u vranë përpara kryeministrisë. Pas publikimit të një videoje ku Presidenti aktual i Republikës kërkonte 7-përqindëshin e allishverishit të radhës, indinjata dhe revolta popullore ishte aq e madhe, saqë shumëkush iu bashkua demonstratës së 21 janarit pavarësisht se u thirr nga një palo parti si ajo Socialiste kundër qeverisë së një palo partie tjetër si ajo Demokratike. Pas minutave të para të ndeshjes me policinë, bejlerët e PS ia therën vrapit dhe në shesh mbetën qytetarët më të revoltuar, të gënjyer e zhgënjyer nga çdo parti, të varfër e me mllef, për të cilët drejtësi donte të thoshte goditje e kështjellës së përhershme të padrejtësive: godinës së qeverisë.
Më 21 Janar u vranë katër burra të varfër. Ata që i thirrën në protestë fituan pushtetin mbi gjakun e tyre. Pasi e morën, e tradhtuan atë gjak në dy kuptime. Nga njëra anë, nuk guxuan të vendosin asnjëherë përpara përgjegjësisë penale urdhëruesit dhe vrasësit e 21 Janarit, por tentuan ta lajnë shpirtin duke dëmshpërblyer monetarisht familjarët e viktimave. Nga ana tjetër, i thelluan shkaqet që i nxorën mijërat në demonstratë: korrupsionin, varfërinë, pabarazitë dhe padrejtësitë shoqërore. Në vend të një 21 Janari traumatik kemi përditë nga pak 21 janarë, kurdoherë që një qytetar vret veten se nuk paguan dot energjinë elektrike, një punëtor vritet në punë dhe qindra mijëra njerëz mbyten në dëshpërim.
Që 21 Janari dhe 21 janarët të mos përsëriten më, ia kemi borxh njëri-tjetrit që të shtyjmë drejt greminës jo vetëm qeverinë aktuale, por krejt këtë sistem të kalbur politik partish plaçkitëse.
