
”Ditë e re, fat i ri” – shprehen zakonisht njerëzit në momente të vështira për t’i dhënë shpresë njëri-tjetrit. Prandaj edhe festat e fundvitit kanë më tepër kuptim për ata të cilët ndryshimi nuk është thjesht estetik a numerik, por domosdoshmëri jete; për ata të cilët kalimi nga një vit në tjetrin shpreh mundësinë që jeta të mos ngjajë me ditët e djeshme, por të sjellë fate dhe kohë të reja, më të këndshme, më të bukura, më të lehta.
Kesisoj urimin për ditë më të mira, ne, aktivistët e Organizatës Politike, ua kushtojmë të gjithë njerëzve me të shkuar të dhimbshme dhe të tashme të pasigurt: minatorëve të Bulqizes, naftëtarëve të Ballshit, rrobaqepëseve në fabrikat e Shkodrës, fshatarëve proletarë të Gosës, punëtorëve të hekurudhës së Durrësit, të papunëve te “Partizani i Panjohur” dhe studentëve të universiteteve publike, bashkë me të cilët jemi organizuar në mbrojtje të të drejtave socio-ekonomike.
Përtej urimeve, fati dhe ditët e reja nuk vijnë vetiu, por përmes bashkimit dhe angazhimit zëlartë. E vetmja mundësi që këto shpresa të shfaqen në horizontin e shoqërisë sonë – që buka e naftëtarit, jeta e minatorit, paga e rrobaqepëses dhe shkolla e studentit të behen realitete të pacenueshme – është bashkëveprimi nga 1 janari e tutje, ku sigurisht andrrallat e vitit të vjeter do të vazhdojnë të mbeten këtu midis nesh.