
Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare nuk është një ditë e rëndomtë festive, siç bëjnë tradhëtuesit e saj, të djeshmit dogmatikë dhe të sotmit që përkundër idealit të pavarësisë kanë zgjedhur atë të tregtisë, përkundër ndërtimit shkatërrimin dhe përkundër barazisë me demokraci pabarazinë me polici. 29 nëntori është dita e popullit, e popullit të lënë në mizerje dhe errësirë, që i tradhëtuar nga elitat e tij, arriti përmes luftës dhe vuajtjes, ta ngrinte pafuqinë tek e pamundshmja, pra tek ideali i një bote të re.
Prandaj sot, kujtojmë me krenari brezin e atyre djemve dhe vajzave që shpesh nuk i kalonin të njëzetat, të cilët, ishin të vetmit që i dolën zot vendit. Si shtatëmbëdhjetë vjeçari Vasil Laçi që ngriti dorë kundër monarkut okupator. Apo tetëmbëdhjetë vjeçarja Liri Gero, guerrilje urbane, që kaloi në ferrin e tmerrshëm të dhunës fashiste. Ose Qemal Stafa, vetëm njëzet e dy vjeç, mendimtar dhe militant i jashtëzakonshëm. Dhe qindra e mijëra të tjerë, mundi dhe ideali i të cileve nuk duhet të shkojë kot, por të vazhdohet, me përpjekje të reja në kohë të reja me njerëz dhe vizion të ri për një botë më të drejtë dhe demokratike.
SHENIM: Natën e 14 shtatorit 1943, 68 vajza fierake iu bashkuan luftës partizane në mal dhe kjo foto është më përfaqesuesja e atij akti emancipues që krijoi habi dhe shpresë në Shqipërinë e kohës.