
Sot në mëngjes në minierat e qytetit të Bulqizës, në galerinë D, ndërroi jetë punëtori Eris Keta, 30 vjeç, nga shembia e një masivi gurësh. Vdekja e këtij punëtori të ri, pavarësisht se “hetimet e policisë për zbardhjen e ngjarjes vijojnë”, është shprehje e kushteve mizerje të punës dhe numrit gjithnjë e në rritje të aksidenteve me pasojë vdekjen në këtë sektor.
Vetëm gjatë këtij viti kemi patur disa aksidente si vdekja e minatorit 40 vjeçar Azgan Kurtpalaj në Tropojë në 27 janar dhe vdekja e tri minatorëve kinezë më 4 shkurt në Bulqizë, si dhe shumë aksidentime të tjera me pasojë plagosjet dhe gjymtimet prej të njëjtit motiv: shëmbies së dherave mbi kokat e minatorëve.
Ia vlen të theksojmë se zona D në minierat e Bulqizës është zonë me rrezikshmëri të lartë për jetën për shkak të privatizimeve jashtë kontrollit, punës pa të drejta dhe shfrytëzimit pa investime të galerive. Vdekja e minatorëve nuk është ngjarje apo rastësi tragjike, siç mbulohet zakonisht, por vrasje direkte e kushteve të këqija të punës, korruptimit të strukturave shtetërore dhe trendit për fitime të shpejta të shfrytëzuesve.
Jeta, djersa dhe dinjiteti i punëtorëve janë më të shenjtë se çdo çmim a fitim i paskrupullt i padronëve, prandaj kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe shpresojmë se nuk do të jetë e largët dita kur minatorët e Bulqizës të ngrihen në mbrojtje të njeri tjetrit, për të kërkuar drejtësi dhe siguri për jetën.
Solidarizohemi me minatorët e Bulqizës!