
Ideologjia katërvjeçare e qeverisë ka qenë legaliteti me çdo kusht. Zbatueshmëria e ligjit, pavarësisht përmbajtjes së tij, ka justifikuar të gjitha padrejtësitë sociale që bëheshin nëpërmjet dhe pavarësisht ligjit. Rritja e çmimit të energjisë, financimi i diplomoreve private, spastrimi territorial i shitësve të vegjël, lejet e ndërtimit, koncesionet në mjekësi e të tjera si këto kërkonin legjitimitet në emër të pretendimit se për herë të parë në këtë çerekshekulli në Shqipëri po zbatohej ligji. Jo më kot aparati policor u krijua si emblemë e kohës së re. Polici mund të ishte mizor kur zbonte pleqtë që shisnin rrugës, por po zbatonte ligjin si robot i pakompromentueshëm. Plus që pritej të ishte i pashëm dhe i sjellshëm. Nëpërmjet tij qeveria donte të na thoshte se po shikonte më larg sesa keqardhjet momentale.
Krijimi i idesë në publik se ish-ministri i Brendshëm dhe krejt hierarkia policore kanë qenë të përfshirë në trafik droge e langaraqos aq shumë qeverinë, saqë e lë krejt të pagojë ideologjikisht; duke i lidhur edhe duart praktikisht. Rama mund të mos e shesë Tahirin edhe për të mbuluar përfshirjen e vet në allishverishe të tilla. Ama është e sigurt që do ta mbrojë aq sa të mundet pikërisht se pa të ai mbetet lakuriq ideologjikisht. Sundimtarët kanë nevojë për aureolë. Prandaj dikur visheshin me petka të shkëlqyeshme, kurse sot kurojnë imazhin. Imagjinoni sa impotent bëhet sundimtari kur del lakuriq! Me të qesh e gjithë dynjaja dhe nuk e kanë frikë as harabelat.