
Me 11 shtator 1973 rrëzohet me dhunën e puçit ushtarak qeveria demokratike e Kilit, me në krye Salvador Aljenden. Intelektual, i majtë dhe njeri i dashur për popullin e tij, Aljende përfaqësonte shpresat e mëdha për tokë, bukë dhe arsim.
Ekzekutimi i Aljendes në pallatin presidencial i hapi rrugën një proçesi të paprecedent dhune kundër qeverive të vendosura me votë popullore në shtetet latino-amerikane. Dhunë kjo e financuar prej “botës së lirë dhe demokratike” – me bashkëpunimin e ngushtë të çikagoskullsave neoliberalë dhe gjeneralëve gjakatarë vendas.
Sipas teoricienit amerikan Noam Çomski në librin “Kush e sundon botën”, nga vitet ’60 deri në vitet ’90, në Amerikën e Jugut janë vrarë me dhjetra mijëra studentë, sindikalistë, aktivistë dhe klerikë progresistë. Ndërsa për studiuesen Naomi Klein, referuar librit të saj “Doktrina Shok”, këto ngjarje ishin prologu i lartësimit të kapitalizmit shkatërrues.
Neoliberalizmi, për të cilin u vra Aljende, vazhdon të vrasë dhe sot, duke shembur shtetin e përkujdesjes sociale. Varfërimi, shpronësimi i njeriut prej të drejtës për arsim, punë dhe shëndet, si dhe ulja e cilësisë së jetës janë katastrofat ku na ka çuar kjo teori, të cilën e përqafon fort edhe qeveria jonë.
Sidqoftë, fjalët e fundit të Salvador Aljendes – “Ata kanë pushtetin, mund të na shtypin, mirëpo proçeset shoqërore nuk mund të ndalen, as përmes krimeve, as përmes pushtetit. Historia është jona, dhe populli do ta bëjë atë” – vazhdojnë të frymëzojnë edhe sot, për të vazhduar rezistencën kundër politikave të kapitalizmit shkatërrues, në çdo vend dhe popull të botës.