
Mashtrimi që qeveria Rama u ka bërë punëtorëve të rafinerisë së naftës në Ballsh ka dalë sheshit ende pa u mbushur 1 vit. Pas 13 muajsh nëpërkëmbjeje të rreth 1200 punëtorëve, pa paga dhe në mëshirë të fatit, në muajin tetor të vitit të shkuar pushteti ia dha rafinerinë në administrim njërit prej klientëve të tij më të ngushtë, Besnik Sulajt, me premtimin madhor për shlyerjen e pagave të prapambetura dhe sigurimin e kushteve dinjitoze të punës. Pa u mbushur ende muaji nga këto premtime të bujshme, një shpërthim i ndodhur në rafineri, për shkak të amortizimit dhe mungesës së investimeve, i mori jetën një punëtori dhe plagosi disa të tjerë.
Nga ana tjetër, premtimi për shlyrjen e pagave të prapambetura vazhdon të mbetet veç në kronikat televizive. Prej muajsh punëtorët e kanë ngritur zërin dhe kanë bërë tentativa për t’u organizuar dhe për të kërkuar të drejtën e tyre. Pas përfundimit të zgjedhjeve dhe premtimeve të shumëfishuara në fushatë, punëtorëve jo vetëm që nuk u janë hedhur pagat e prapambetura, por nuk po iu jepen as pagat mujore.
Ditën e sotme shumë punëtorë të turnit të parë kanë protestuar para administratës së rafinerisë dhe kanë refuzuar të vazhdojnë punën nëse nuk ju kalojnë rrogat menjëherë. Drejtuesit dallaverexhinj të rafinerisë iu kanë premtuar që pagat do të kalonin brenda orës 12:00, por kjo gjë nuk është realizuar, prandaj edhe punëtorët e turnit të dytë kanë refuzuar që të fillojnë punën. E vendosur përpara këtij presioni, pak orë më vonë kompania kliente e pushtetit është detyruar që t’ju kalojë punëtorëve pagën e muajit korrik. Megjithatë, naftëtarët kanë paralajmëruar që do të protestojnë dhe do të bojkotojnë punën deri në paralizim të funksionimit të rafinerisë për të kërkuar pagat e prapambetura të 13 muajve.
Protestat do të vazhdojnë sërish ditët në vazhdim. Organizata Politike mbështet dhe solidarizohet me naftëtarët e Ballshit, njësoj si në shumë protesta e organizime të tyre në Ballsh dhe Tiranë vitin e shkuar. Do të jemi përkrah naftëtarëve dhe çdo punëtori tjetër deri kur ata të marrin atë çfarë u takon nga djersa dhe gjaku i tyre.
Për punëtorët, për shoqërinë!