
Vetëm pak ditë pas fushatës elektorale ku premtuan parajsën mbi tokë, nisi fushata e ashpër e “zisë së ujit”, ku Bashkia e Tiranës shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për situatën e rezervave ujore për qytetin. Vetëm pak javë pas nisjes së kësaj fushate, Bashkia ka vendosur të rrisë çmimin e ujit të pijshëm me më shumë se 45%, me arsyetimin që është e nevojshme për të bërë investime. Por fakti është që vetëm për këtë çështje ka disa të pavërteta, e mbi të gjitha: së pari, ai që banorëve iu shitet si ujë i pijshëm, nuk është i pijshëm, prandaj janë të detyruar që prej vitesh 45% e më shumë ta paguajnë duke e blerë në dyqane ujin e pijshëm (i cili edhe ai nuk dihet se çfarë cilësie ka); së dyti, ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Tiranë jo vetëm që nuk është në vështirësi ekonomike, por është ndërmarrja publike mbase më fitimprurëse në vend në raport me madhësinë e saj.
Në këto kushte, rritja e çmimit të ujit të (pa)pijshëm jo vetëm që nuk duhet lejuar, por duhet të ngrihemi për të kërkuar uljen e çmimit, edhe kështu të lartë, e rritjen e cilësisë që është një burim i sigurt infeksionesh e sëmundjesh!