Qëndrim për protestën e ish-parkut

19575365 1286942484764601 500836119507827922 o

Në protestën e qytetarëve të zonës së ish-“Parkut të Autobusëve” kundër betonizimit të lulishtes, ku është projektuar për ndërtim një rezidencë shumëkatëshe, aktivistët e Organizatës Politike u angazhuan për thirrjen e një mbledhjeje të banorëve dhe organizimin e protestës. I ndihmuam banorët me mjetet logjistike që kemi dhe tentuam sadopak të artikulojmë bashkë me ta padrejtësinë që po i ndodh qytetit të Tiranës me valën e re të betonizimit që ka ndërmarrë Erion Veliaj në bashkëpunim me oligarkët vendas.
Tubimi ishte paqësor nga ana e qytetarëve, por persona civilë u afruan dhe filluan të kërcënojnë një nga një banorët e mbledhur në protestë. Banorët dhe aktivistët e OP i bënë thirrje policisë së pranishme që të merrte masa ndaj provokimeve që po na drejtoheshin, por policët veçse bënë sehir dhe lëshuan disa batuta banale. Policia tentoi të bënte presion duke i akuzuar të pranishmit për tubim të paligjshëm, por u zbyth sapo aktivistët cituan ligjin për tubime të organizuara në mënyrë spontane.

Pas përfundimit të protestës, kur qytetarët ishin shpërndarë dhe aktivistët e OP po largoheshin nga vendi i tubimit, dy rreshta policësh na rrethuan duke ushtruar dhunë dhe duke goditur me grushte dy prej aktivistëve, e duke arrestuar aktivistët Arlind Qori dhe Bislim Lakna, të cilët po mbahen në komisariatin nr. 2 të Tiranës, së bashku me mbështetësit tanë Kliton dhe Erion Hysollari.

Kjo manovër e policisë së shtetit, e cila nuk arrestoi asnjë banor pjesëmarrës në tubim por priti largimin e tyre për të ndërhyrë ndaj nesh, mund të shpjegohet vetëm me sulmin e ardhshëm që pritet t’i bëhet Organizatës Politike nga zyra e shtypit të Bashkisë, nga ku do na akuzojnë si iniciatorë dhe nxitës së protestës qytetare, si grupim që shkakton rrëmujë vetëm për të tërhequr vëmendjen mediatike.

Ritheksojmë se Organizata Politike është një grupim vullnetar aktivistësh që ka për qëllim angazhimin social, duke përdorur forma të ndryshme të rezistencës dhe duke mbështetur çdo shkëndijë rezistence sociale ndaj padrejtësive të pushtetarëve-oligarkë të këtij vendi. Ne nuk na trembin arrestimet dhe as grushtet e policisë së veshur me uniforma të reja, por që përdor forma të vjetra të represionit. Çdo grusht i tyre ndaj nesh, është një grusht ndaj pushtetit ilegjitim dhe të korruptuar. Çdo aktivist që e kalon natën në birucë, është dëshmi e dobësisë së pushtetit për të mbyllur gojët e popullit. Rezistenca vazhdon, sot, nesër, e për sa kohë marrim frymë!

Zemrat bashkë, mendjet bashkë! E ardhmja është e të gjithëve!

Skip to content