
Deri para një jave këtu ishin dy shitës ambulantë që shisnin stilolapsa, fletore, ujë, çamçakëzë dhe cigare. Shumë herë i kisha parë duke marrë gjoba e duke iu konfiskuar sasia modeste e mallit nga Policia Bashkia në emër të “luftës kundër zhulit”, si shkatërruesit kryesorë të ekonomisë së vendit. Por edhe pse përndiqeshin gjithmonë nga policia, të nesërmen varfëria i detyronte të dilnin përsëri aty.
Sot shoh që vendin ua ka zaptuar një nga kioskat e Vjollcës së Top Channel-it. Mbase shteti tani ka një taksapagues më shumë (supozojmë se TCH i shlyen detyrimet), ama ka edhe 2 të papunë me 2 familje pa të ardhura, më shumë. Ajo kioskë që mbante 2 familje, tani është thjesht për hir të babëzisë për të fituar.
Erion Veliaj njihet tashmë për luftën që u ka shpallur të varfërve, pasi “djali i fiqve” tashmë nuk është gjë tjetër veçse një gjë e pështirë dhe e neveritshme, që u shërben atyre që e nxjerrin në TV, e mbajnë në çifligjet e tyre, e vendosin në prehrin e tyre të ngrohtë dhe që nesër do duan ta katapultojnë në kryeministri për të përfaqësuar interesat e tyre.
Ka ardhur koha dhe duhet që të kundërshtojmë interesat e tyre, të cilat janë në kurriz të jetës, mirëqenies dhe së ardhmes tonë!