
Në vendin tonë këto dy dekada është e vështirë të haset në diçka që të ketë ndryshuar në mënyrë më rrënjësore se sa sheshi, ose më saktë ngarkesa konceptuale që ai mbart. Sheshet fillimisht kanë qenë hapësira të rëndësishme ekonomike e politike, ndërsa më pas, me transformimet e ndryshme shoqërore, ato marrin një karakter të caktuar ideologjik, indoktrinimi të një vizioni të caktuar. Nga institucion ku zhvilloheshin shkëmbime ekonomike, përplasjesh politike mes klasave, sheshi kthehet në hapësirë spektakolare dehjesh të masave. Në kalimin nga mesjeta në qytetet e rilindjes kemi dhe dallimin mes sheshit qytetas dhe atij tregëtar, çka tregon dhe shkëputjen mes pushtetit të zotërinjve dhe betejës për mbijetesë që zhvillohej në sheshet e tregjeve. Sheshet kryesisht kanë qenë dhe janë të rrethuara nga institucionet pushtetore, hapësira ku pushteti e shfaqte/shfaq veten herë si pushtet më afër popullit, e herë si antagonist me të. Por një prirje e vazhdueshme diferencimi negativ vazhdon të theksohet dita-ditës.
Sheshi Skënderbej nuk ka pasur ndonjeëherë funksion tregëtar, por ka qenë sidoqoftë një nga vendet simbol të betejës së rinisë së dhjetorit 1990 për rrezimin e diktaturës staliniste të Hoxhës, si dhe ka qenë më pas vend protestash e tubimesh të ndryshme. Pikërisht këtë funksion politik subversive – sado i zbehtë të ketë qenë, ai mbart megjithatë farën potenciale për t’u rikthyer në hapësirë përplasjesh – regjimi i sotëm neoliberal po përpiqet ta zhdukë, duke e kthyer në hapësirë apolitike. Sheshet fatkeqësisht po i kthehen natyrës së tyre të mbyllur në të cilën spektakolarizohet ushtrimi i pushtetit dhe ai i kultit fetar, ku njerëzit janë spektatorë të një inskenimi të jashtëzakonshëm teatral. Sheshi është kthyer në plate, në rrënjën e tij fillestare pothuajse të harruar.