
Vdekja në punë është bërë aq e zakonshme, saqë nuk vihet re, si të ishte natyrore. Por ajo ka shkaktarë. I pari është pronari që për të fituar pak më shumë nuk respekton standardet minimale të sigurisë në punë. I dyti është nëpunësi që për një shuk lekësh mbyll sytë përpara krimit. I treti është pushtetari për të cilin punëtorët nuk ekzistojnë si subjekte të së drejtës, por vetëm si zbritës papunësie. Të katërtit jemi ne të tjerët, që për të jetuar nuk kemi nevojë të përfytemi me vdekjen, ne moskokëçarësit për çfarë ndodh jashtë kufijve të rehatisë së klasës së mesme.
Përtej familjarëve, askush nuk i njeh emrat e punëtorëve të vdekur në punë. Ndoshta edhe për ta vdekja e tyre nuk është më shumë sesa fatkeqësi. Fatalizmi është ndjenja që pushton të varfrit. Ajo që buron prej humbjeve e poshtërimeve të njëpasnjëshme.
Si aktivistë të Organizatës Politike kemi vendosur ta thyejmë heshtjen për vdekjen punëtore. Ata janë të rënë në punë, humbësit e paemër të një lufte të ashpër klasore që ua mpak jetën ditë pas dite, i gjymton e dëshpëron edhe kur i lë gjallë. Që sot e tutje muret e qytetit do të mbajnë emrat e tyre, si përkujtimore të mizorisë së shfrytëzimit deri në vdekje. Por edhe si kushtrim ndaj atyre që jetojnë prej punës që të ndjekin të vetmen rrugë që ua shmang vdekjen prej saj: organizimin.
Me punëtorët, deri në fund, edhe përtej fundit!