Kur artisti bëhet me të vërtetë i popullit

Kur artisti bëhet me të vërtetë i popullit.

Prej disa kohësh aktori i madh i kinemasë dhe teatrit tonë, Robert Ndrenika, është prezantuar në sytë e publikut jo vetëm si karakteri i dashur i filmave, por edhe si qytetar i thjeshtë e shembullor në angazhimin e tij. Ai ka guxuar, përkundër prestigjit që gëzon, të hapë dyert për simpatizantët e t’u tregojë kopshtijen e varfër shtëpiake, apo të mbajë radhë si gjithë të tjerët në kazermat e spitalit të sabotuar publik. Ai çoi zërin kundër importit të plehrave në Shqipëri dhe u pa duke marshuar në krah të qytetarëve, i qetë, pa zë e çuditërisht i fortë pavarësisht kohës që i rëndon mbi supe. Ai u shpreh se do të ngujohej brenda Teatrit Kombëtar nëse artistët-me-rruspë të pushtetit do të tentonin të vinin dorë mbi të. Por pavarësisht kësaj, revolta e Ndrenikës është më e hershme.

Si figurë e vyer publike, në kohën kur politika kishte akoma intelektualë, ai u zgjodh deputet në legjislaturën ’92-’96, por hoqi dorë shpejt, iu përkushtua punës artistike dhe refuzoi çdo ofertë politike për t’u përfshirë sërish. E prapëseprapë ai ishte politik, në kuptimin klasik të fjalës, si revoltë intelektuale dhe ndërtues komuniteti publik. Ishte politik në improvizimin e roleve në teatër e kinema, ku me lirikën dhe epikën e tij, lakuriqësoi paradokset e jetës shoqërore dhe patetizmin e shoqnisë së lartë të hallvës e façizmit. Ndoshta edhe aktori e ka vënë re, por personazhet që ka improvizuar, kanë ngritur krye në brendinë e aktorit dhe kohës ku jetojmë.

Prefekti perfekt, ose narçizin e koncertit të ’36-s, që simbolizon burokratin dalldauk të viteve ’30 e gjen edhe sot në zyrat e shtetit, më të freskët e të shumuar se kurrë. Atë të fshatarit të varfër e patriot, të lënë në errësirë e të prerë në besë prej atyre që zotohen në emër të tij, dhe që përpiqet të çlirohet prej rrenës e dhunës duke iu bashkuar të resë, si karrocieri i Ismail Qemalit dhe malësori te “Besa e kuqe”. Figurë qëndrore në portretizimin e historisë dhe ndërgjegjes kombëtare ka lozur edhe tek filmat “Mësonjëtoria” në rolin e keqbërësit të penduar Kocka dhe “Vëllezër dhe shokë” si Xha Sokrati. Ai ka interpretuar edhe personazhe të rëndësishme sa i përket edukimit shoqëror, si Kristofori te “Nxënësit e klasës time” dhe Stefi “Në shtëpinë tonë”. E të tjerë, e të tjerë.

Këto personazhe në dukje të moçëm kanë luajtur një rol subversiv sa i përket përsëritjes së tyre në kohë. Ata rezistuan edhe nën kufizimet e sociologjizmit vulgar të realizmit socialist, duke denoncuar në pavetëdije të plotë, sesi historia përsërit vetëveten herë komikisht dhe herë tjera dramatikisht. Por edhe sesi heroi pozitiv, ai i patriotit, fshatarit dhe punëtorit të sinqertë, i kritikuar si mbetje ideologjike, aktualizohet më shumë se kurrë si domosdoshmëri e të rezistuarit politikisht rreth ideve përparimtare në shoqërinë tonë.

Robert Ndrenika është pagëzuar jo rastësisht me nderimin si “Artist i Popullit”. Sepse ka përvijuar me besnikëri dhe ndjenjë të thellë njerëzore jetën e njeriut dhe popullit shqiptar, me ecjet e tij të vështira dhe tragjike nëpër histori. Nderim që aktori, i cili e kaloi jetën në mesin e njerëzve të thjeshtë, po e çon deri në fund, edhe sot, kur hijet e errëta të së shkuarës, kanë zbritur sërish në përditshmëri.

Skip to content