
1. Në ka një luftë të vërtetë sociale ajo është midis komuniteteve dhe korporatave ndërkombëtare që abuzojnë me pasuritë natyrore dhe pasuritë njerëzore të vëna me punë të ndershme. Asnjë forcë politike nuk ka vizionin për t’i shtrënguar këto korporata të cilat i kanë sjellë vetë këtu dhe më të cilat kanë kryer pazare të panumërta.
2. Korporatat problematike nuk janë vetëm në sektorin e naftës, por edhe të telefonisë, transportit ajror dhe rrugor, miniera dhe energjitikë, banka dhe sigurime shoqërore, ku shquhen për afera korruptive, çmime stratosferike dhe shfrytëzim ç’njerëzor të fuqisë punëtore. Të mos harrojmë se kostot ekonomike të trashëguara dhe aktuale të këtyre korporatave paguhen me para publike.
3. Raporti i shtetit me kundërshtuesit e këtyre korporatave, dje dhe sot, ka qënë thellësisht i dhunshëm. Greva e minatorëve bulqizakë u shtyp me forca të shumta policore prej qeverisë së kaluar. Reformën energjitike për të shpaguar dëmet e ÇEZ ku dhjetra qytetarë u burgosën e u detyruan të vetëvriteshin. Falimentimin korruptiv të sektorit të naftës në Ballsh etj. Asnjë politikan apo biznesmen në burg për këto bëma. Përkundrazi, sundojnë të pashqetësuar dhe vetëshpallen shpëtimtarë të Shqipërisë.
4. Ç’të bëjmë? Të dokumentojmë krimet e tyre, të mbajmë të freskët kujtesën se kush dhe çfarë na çoi në këtë deregje, të lidhemi me komunitetet e cënuara, të vëmë në krizë vazhdueshmërinë e tyre dhe legjitimitetin e sundimtarëve aktualë politikë. Shkatërrimi korporativist nuk është veç çështje halli, por një rrezik që i kanoset tërë shoqërisë tonë. Shqipëria është në krizë totale dhe zgjidhja nuk është bashkimi me ata që sollën krizën, por bashkimi qytetar kundër tyre, kundër korporatave, për demokraci dhe mirëqënie shoqërore.