“Nga një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit të publikuar ditën e sotme, për rreth 2 vite e gjysmë, nga janari i vitit 2013 deri në shtator të 2016-ës, buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm prej 534 milionë eurosh. Mesatarisht pak më shumë sesa 200 milionë euro në vit, ose sa:
– 5-fishi i buxhetit të shtetit për arsimin;
– disa-fish më shumë sesa buxheti i shtetit për shëndetësinë;
– goxha në shumë sesa koncensionimi i Minierës së Bulqizës;
– 30-fish më shumë nga përfitimi qesharak prej shfrytëzimit barbar të naftës së Patos-Marinzës nga Bankersi i Donald Lu-së;
– disa-fish më shumë sesa vlera e privatizimit të OSSH-së dhe rafinerisë së Ballshit së bashku;
– 1/5 e “Rrugës së kombit”;
– dhjetëra miliona euro më shumë sesa kostoja e pedonaleve të famshme për të cilat u mor kredi nga FMN-ja e BB-ja, etj etj.
Konstatim zyrtar ky nga institucioni shtetëror përgjegjës, sado i tredhur, për një dëm të hatashëm në kurriz të qytetarëve për të cilin nuk do të mbajë përgjegjësi askush, si përherë. Imagjinoni sesa është dëmi real, përtej shkresurinave, poshtë tryezave e nëpër xhepa pushtetarësh të korruptuar e të inkriminuar.
Nga 534 milionë euro, jo vetëm që do të sigurohej arsimi publik falas për të paktën nja 10 vite në vazhdim, por do të tepronin dhjetëra miliona euro për të investuar që të ishte sa më cilësor. Por kur reformën ta bën Henri Qyli dhe çirakët e tij në qeveri, “sigurisht që arsimi nuk mund të jetë falas”.
Me 534 milionë euro, jo vetëm që shëndetësia do të ishte shumë më cilësore, por mund të ishte edhe realisht falas, jo si “falas-i” që premtuan rilindësit sa për të marrë votat më 2013-ën. Por kur politikat për mjekësinë t’i diktojnë kasapët e spitaleve private, sigurisht që edhe spitalin publik do ta çojnë drejt koncensionimit.
Me 534 milionë euro, jo vetëm që do të menaxhohej më së miri Miniera e Bulqizës, por mund të bëheshin edhe investime shumë serioze që do t’ia shtonin jetëgjatësinë, do të siguronin kushte më të mira e të ardhura më të larta për minatorët dhe buxhetin e shtetit. Por kur pushtetarët i kanë vilat te lagjja e Samir Manes, sigurisht që “veç ky i fundit mund ta administrojë siç duhet minierën”.
Me 534 milionë euro, jo vetëm që do të menaxhoheshin si duhet rezervat e naftës në Patos-Marinzës, e dyta në Europë për nga sasia, por mund të bëheshin investimet e nevojshme për të rritur prodhimin e naftës dhe zhvillimin e zonës. Por kur politikat në fushën e naftës t’i komandon Donald Lu-ja, sigurisht që Bankers Petroleum do të vjedhë mijëra tonelata naftë e do të shkatërrojnë qindra shtëpi të zonës, pa i hyrë gjëmb në këmbë e pa paguar asnjë detyrim.
Me 534 milionë euro, jo vetëm do të shlyheshin borxhet e rafinerisë së Ballshit (për shkatërrimin e së cilës duhen vënë para përgjegjësisë penale dhe financiare shkaktarët), por mund të bëheshin investimet e nevojshme për ta vënë siç duhet në funksion, duke gjallëruar një krahinë të tërë me punësimin e sigurt të 1200 punëtorëve dhe me përfitime të majme për buxhetin e shtetit. Por kur rafinerinë e Ballshit ua jep shokëve të ngushtë, si Besoja e Taivanit që edhe shatërvanin të Parku Rinia nuk e vë dot në funksion siç duhet, sigurisht që ajo do të shkatërrohet plotësisht, herët a vonë.
Me 534 milionë euro, jo vetëm nuk do ishin futur në burg dhe do ishin amnistuar mijëra vetë që nuk kishin mundësi për të paguar energjinë, por do të ishin bërë investimet e domosdoshme për një sistem elektrifikimi më cilësor, pa e rritur çmimin e energjisë që edhe kështu është shumë i lartë. Por kur në krye të OSHEE-së vendos banditë që vjedhin fonde e tendera me thasë, sigurisht që këto para do ia marrësh popullit përmes kërbaçit policor.
Me 534 milionë euro, jo vetëm që nuk do mendohej dhënia me koncesion e “Rrugës së kombit”, por do të investohej për ndërtimin e urave dhe riparimin e pjesëve që qeveria Berisha dhe ministri i Basha i lanë pa përfunduar duke vjedhur më shumë sesa 230 milionë euro. Por kur e ke mendjen të vjedhësh si ose më shumë sesa ata, dhe jo sesi të mirëmbash infrastrukturën rrugore me kosto të papërballueshme për popullin, sigurisht që koncesioni korruptiv është “zgjidhja e vetme”.
Me 534 milionë euro, jo vetëm që nuk do ishte e nevojshme për të marrë borxhe nga xhandarët financiarë si BB-ja dhe FMN-ja, duke rritur borxhin publik dhe duke qenë i varur bythë e brekë tek ata, jo vetëm që mund të mermerosësh qendrat e qyteteve pothuajse të falimentuar në çdo aspekt, por mund të investosh në sektorë të caktuar për të rritur punësimin e zhvillimin ekonomik, si dhe për të rigjallëruar sadopak periferinë. Por kur e ke mendjen tek spektakli dhe përfitimi makut prej mermerosjes së fasadave, dhe jo tek hallet e nevojat e vërteta të popullit, sigurisht që rruga më e shpejtë është borxhi në kurrizin tonë.
Disa nga këto gjëra, ose shumë të tjera që mund të përmëndeshin, mund të ishin bërë në interes të popullit me të paktën këto 534 milionë euro që tashmë e dime edhe zyrtarisht që na i kanë vjedhur. Në të kundërt, janë investuar në zhvatje të pronës publike, në vila e resorte pushtetarësh, në varfëri e mjerim të popullit, në propagandë bajate e trushpëlarëse, në blerje votash pas disa muajsh me qëllim përsëritjen e zhvatjes së hatashme, e gjëra të këtij lloji.
Dikur duhet t’na i kthejnë mbrapsht, qindarkë më qindarkë, apo jo?”