Shfrytëzimi i naftës në Shqipëri

energy oil well sunset 72dpi

“Një raport i ditëve të fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit hedh dritë mbi masakrën që është bërë me shfrytëzimin e naftës në Shqipëri, veçanërisht nga kompania Bankers Petroleum në zonën natëmbajtëse të Patos-Marinzës. Kjo masakër e ky krim ekonomik kanë qenë publike dhe dihen prej vitesh, por tashmë janë edhe zyrtare. Që prej dhënies korruptive me koncesion nga qeveria Nano në vitin 2004, përgjatë 8 viteve të qeverisë Berisha (ndër më të pamëshirshmet në shkatërrimin dhe vjedhjen e pasurive të përbashkëta natyrore), edhe sot gjatë qeverisë Rama (po kaq të korruptuar dhe të kapur), Bankers Petroleum deklaron se nuk ka fitim prej shfrytëzimit të naftës: pavarësisht sasisë së hatashme të naftës së nxjerrë, pavarësisht pagesave qesharake për buxhetin e shtetit, pavarësisht shkatërrimit të kësaj pasurie natyrore që e rendit vendin tonë ndër të parët në Europë për revervat e naftës, pavarësisht shkatërrimit të mjedisit dhe shtëpive të banorëve të zonës.

Përveç dështimit të koncesioneve dhe privatizimeve të çdolloj pasurie të përbashkët, aq shumë të propaganduara prej qeverive të korruptuara e kriminale të këtyre 25 viteve, mund të jemi i vetmi vend në botë ku kompanitë private deklarojnë se janë me humbje dhe vazhdojnë punën, ndërkohë që duhet të shpallnin falimentin. Shfrytëzimi kriminal dhe korrupsioni i hatashëm janë në nivele që nuk mund t’i fshehë më as propaganda qeveritare, as kapja e të gjitha mediave dhe burimeve të informacionit.

Në këto kushte është i nevojshëm organizimi dhe reagimi deri në shfuqizimin e këtyre marrëveshjeve kapitulluese dhe shkatërruese veçanërisht për pasuritë më të mëdha natyrore, që duhet të ishin burimet kryesore të të ardhurave për një shoqëri me mirëqënie më të lartë, më të drejtë dhe me të barabartë. E kjo mund të arrihet vetëm duke rrëzuar shkaktarin e situatës së krijuar: kastën e bandave partiake 25-vjeçare.”

Skip to content