
Sot në qytetin e Fierit vdiq një baba dhe bashkëshort, 56-vjeçari E. Gj., banues në lagjen “Kastrioti” dhe punëtor në shoqërinë e ndërtimit “AGBES”, e cila ka marrë përsipër restaurimin e jashtëm të pallateve në lagjen “Lira”. Punëtori i rënë nga skela dha shpirt në Spitalin Ushtarak. Për ironi të fatit, punëtorët vazhdojnë të marrin ekzistencë publike vetëm kur vdesin. Ose më saktë, kur vriten.
Sepse vdekja e punëtorëve nuk është vdekje pakujdesie, por vrasje e kryer prej mungesës së kushteve elementare të sigurisë në punë dhe paktit klientelist të pronarëve me zyrtarët shtetërorë. Ne, aktivistët e Organizatës Politike, kemi kryer disa takime dhe intervista me punëtorët e kësaj sipërmarrjeje gjatë muajit gusht, të dokumentuara në foto, rrëfime dhe intervista. Prandaj e kemi detyrë shoqërore të publikojmë disa fakte mbi të punuarin e atyshëm.
Të pyetur mbi mjetet e sigurisë në punë, punëtorët janë përgjigjur se nuk kanë mjet tjetër sigurie për jetën veç dorashkave, kasketës dhe çizmeve, por në shumë raste, punëtorë të tjerë as këto nuk i kanë. Sipas tyre, ata punojnë 7 deri në 14 orë punë në javë të pa paguar, ndërsa rroga mesatare shkon deri në 30.000 lekë të reja, të cilën e konsiderojnë të pamjaftueshme. Po ashtu, punëtorët konstatojnë se janë të pajisur me kontrata, megjithëse nuk i kanë parë kurrë ato, dhe të drejtat e supozuara as që respektohen. Kjo pra është gjendja e punëtorëve të Fierit dhe në përgjithësi e punëtorëve të ndërtimit anembanë Shqipërisë.
Institutiti për Kritikë dhe Emancipim Shoqëror ka përgatitur dhe publikuar të parin studim për “Gjendjen e klasës punëtore” në Shqipëri, ku dalin të dhëna dhe përfundime dramatike mbi kushtet e punës, pagën, kontratat dhe situatën sociale të punëtorisë shqiptare.
Etja për fitime të shpejta dhe me pak kosto e pronarëve, korruptimi i inspektorëve të punës dhe komprometimi i zyrtarëve të lartë shtetërorë ka bërë që punëtorët të “fluturojnë” nga skelat, të gjymtohen dhe të vdesin, të braktisur në harresë dhe shpërfillje monstruoze institucionale.
Ne solidarizohemi me familjen dhe miqtë e të ndjerit, por edhe me të gjithë punëtorët e Shqipërisë në këto ditë të errëta, ku filli midis jetës dhe vdekjes është bërë i padukshëm. Vetëm bashkimi rreth domosdoshmërisë së drejtësisë shoqërore do të na çlirojë nga prangat e harresës dhe shfrytëzimit.
Mendjet bashkë, zemrat bashkë! E ardhmja është e të gjithëve.