
Ditën e nesërme, 3 qershor 2016, ora 08:00, përpara Kombinatit të Përpunimit të Thellë të Naftës në qytetin e Ballshit, nis protesta e disatë e punëtorëve. Pas 10 muajsh pa marrë rrogat, duke varfëruar familjet e tyre dhe duke paralizuar një qytet të tërë. Pas protestave të shumta të cilat kanë rënë në veshin e shurdhër të qeverisë dhe autoriteteve fajtore, naftëtarët e Ballshit kanë filluar të përshkallëzojnë protestën e tyre. Protesta e nesërme është paraprirë nga protesta e ditës së mërkurë (1 qershor), ku punëtorët bllokuan hyrjen e TEC-it që është pjesë e Kombinatit dhe kontrollon energjinë elektrike për gjithë jugun e vendit.
Organizata Politike është në solidaritet të plotë me punëtorët, të cilët përveç shfrytëzimit, nënpagimit, kushteve të këqija të punës, prej gati një viti ndodhen në kushte të mbijetesës pa marrë pagat. Në këto kushte, organizimi, solidariteti, besimi tek njëri-tjetri dhe protestat e përshkallëzuara janë e vetmja shpresë. Naftëtarët nuk kanë ç’të humbasin veç mjerimit ku i kanë zhytur!
Solidarizohuni me punëtorët!
Për Punëtorët, Për Shoqërinë