Liri popullit të Kosovës!

Sot, pas mbarimit të manifestimit mbarëpopullor për republikë e barazi, forca të panumërta policore mësynë në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje duke dhunuar dhe arrestuar padrejtësisht një numër jashtëzakonisht të madh aktivistësh e qytetarësh, ndër ta edhe aktivistët e Organizatës Politike Hajdi Bengu e Jonis Metaj. Dhuna tërësisht e pavend dhe shpërpjesëtimore dëfton edhe njëherë karakterin privato-policesk të qeverisë së Kosovës.

Ne kemi ndjekur me vëmendje zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë, sidomos ndarjen progresive etnike të shtetit që ka bërë bashkë qeverinë ende shoviniste të Beogradit, ndërkombëtarët neokolonizatorë dhe elitën pushtetore vendase servile dhe të zhytur në krime. Etnizimi i sotëm i shteteve dhe tentativat e shkuara për shtete të pastra etnikisht janë pasqyra reaksionare të njëra-tjetrës.

Dhuna dhe ndasitë privatizuese që prodhon qeverisja në Kosovë u bëjnë jehonë proceseve të ngjashme qeverisëse në Shqipëri. Njëlloj si qeveria e Kosovës, edhe ajo e Shqipërisë shfaqet e nënshtruar së jashtmi dhe dhunuese së brendshmi për hir të interesave private të qeveritarëve dhe enturazhit të tyre.

Pavarësisht se Lëvizja Vetëvendosje heshti për dhunën e gangsterëve me dhe pa uniformë gjatë ballafaqimit të aktivistëve të Lëvizjes Për Universitetin dhe Klubit Politik të Studentëve me kryeministrin Rama më 2 nëntor, Organizata Politike shpreh solidaritetin e saj parimor e të pakompromistë me kauzën e drejtë të ndërtimit të një Kosove republikane e të barabartë që Lëvizja Vetëvendosje e të tjerë aktivistë politikë çojnë përpara. Po ashtu kërkojmë lirimin e të gjithë aktivistëve, edhe të Albin Kurtit të shënjestruar veçanërisht nga qeveria dhe policia private e Kosovës.

Poshtë pushteti shtypës! Liri popullit të Kosovës!

Skip to content