Po tu referohemi raporteve dhe studimeve të publikuara së fundmi rreth situatës sociale dhe ekonomike, Shqipëria po kalon një dëshpërim të madh social. 6 ne 10 të rinjë duan të arratisen natës pa hënë larg vendit. Numri i njerëzve në varferi ekstreme është rritur goxha ndjeshëm (30 mijë familje). Aksioni për energjinë rezulton të ketë pasoja shumë të rënda sociale, sidomos mbi shtresat në nevojë, aq sa as okupimi fashist nuk ka mundur te dhunojë me një valë te vetme. Aksioni për formalizimin e ekonomisë serish nuk beri gjë tjetër veçse rrahu e iu hoqi bukën e gojës dyqanxhinjve dhe tregtareve të vegjël, nderkohë ekonomikisht nuk ka rezultuar të vlefshëm. Konsumi ka renë ndjeshëm: qytetarët nuk blejnë më si me parë, dhe natyrisht hanë shumë me keq, kur pjesa më e madhe e rrogës shkon për tarifa të kripura arsimi, drite dhe uji, ndërsa ç’mbetet sa për tu pertypur. Cmimet janë rritur, pagat janë ulur, dhe 200 ore shtesë të detyrueshme karshi pronarit sapo iu ngarkuan në samar punetorëve anekënd vendit. Miniera qe hanë çdo dite fukarenj. Pasuri të tëra natyrore që shpërfytyrohen pa i sjellë asnjë të mirë shoqërisë: pyje të prera, nëntoka të zbrazura, relieve të kafshuara etj. Cështja CEZ i ka vënë kapakun te gjitha dhe e ka zënë me presh në duar në një orgji masive gjithë klasën politike, pozite-opozite, gangstere e nderkombëtare. Nderkohë, qeveria e meshirës dhe fukarenjve, sapo pajtoi nja dyzet kadillake të rinjë fringo për shëtitje shtetërore. Po, situata është me të vërtetë depresive. Shqipëria njëçmendinë e madhe. Por jo serioze ama. Joserioze sepse zbutet e zbukurohet prej makinës së baltës e banalitetit. Joserioze gjithashtu, sepse presim ardhjen e mesisë ose lindjen e dhembshurisë në zemrat e bajlozëve, ose gjithçka tjetër përveç angazhimit individual e kolektiv në ndryshimin e situatës. Mirëpo, as mesia dhe as pushteti nuk do te na vijë në ndihmë, pos mendjeve, zemrave dhe zërave tanë të mbledhur rreth nje grushti të vetëm. Ndryshe s’ka rrugëdalje prej këtij dëshpërimi.