S’ka si të ndodhë ndryshe! Krimet e djeshme nuk po i paguajnë personat pergjegjës, por përsëri qytetarët, përmes dhunës së xhandarëve dhe taksidarëve. Sepse Kryeministri, ky parimor i madh për sa i përket pavarsisë (lexo pacënueshmerisë) së gjykatave dhe gjyqtarëve të korruptuar, dhe mëshirues zemërgjërë për sa i përket amnistimit të keqbërësve (kujto si iu drejtua Berishës në Parlament: ta siguroj unë që ti nuk do të arrestohesh asnjeherë) – nuk ka ndërmend të vendosë drejtësi. Madje ai po e përserit historinë tragjike të janarit, tashmë si dramë ku Ziverët, Faikët, Hekuranët dhe Aleksët nuk po vriten nga pushkët qeveritare, por po gjobiten, burgosen dhe mbahen nën terror qeveritar me reformat e taksidarëve dhe xhandarëve. Drejtësia e Janarit nuk është veç drejtësi gjykate, se krimi nuk ishte vetëm penal, por politik e social, siç vazhdon të jetë. Drejtesia e Janarit është drejtësi që nuk mbahet dot peng prej gjykatësish dhe politikanësh të korruptuar. Ajo është drejtësi e shoqërisë, për shoqërine dhe prej shoqërisë. Vetëm në këto kushte është e mundshme vënia e drejtësisë së gjykatave.