Ja, kjo është kostoja njerëzore e të famshmes reformë të dhimbshme në energjitikë! Një masaker masive e aparatit represiv shtetëror mbi shoqërinë dhe shtresat e varfëra.
Sipas rrjetit të gazetarisë së pavarur “BIRN” referuar Prokurorisë së Përgjithshme, “..në periudhën shtator 2014 – qershor 2015 2,643 shqiptarë janë vendosur nën akuzën e vjedhjes së energjisë elektrike” ku “prokurorët kanë kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 536 nga këto raste”.
Gjithashtu “.. disa qindra shqiptarë rezultojnë aktualisht të shpallur persona në kërkim për këtë vepër penale.
Vlerësohet se në Shqipëri janë rreth 60 mijë familje, (8 për qind e popullsisë së vendit), të cilat janë në pamundësi financiare për të paguar faturën e energjisë elektrike, për shkak të papunësisë si dhe ndihmës ekonomike në nivele të papërfillshme që ofrohet nga shteti për familjet e varfra. Por vështirësitë ekonomike, të shoqëruara me borxhet e prapambetura, kanë zhytur një numër familjesh në errësirë, duke i kthyer në kushtet e jetesës së epokës para elektrifikimit të Shqipërisë”.
Viktimë e kësaj reprezaljeje është edhe “Afërdita Kola, 52 vjeç, e cila, pasi u mbajt e ndaluar për 72 orë në tetor të vitit 2014, e arrestuar për veprën penale të vjedhjes së energjisë elektrike, ajo u dënua me 18 muaj heqje lirie në shërbimin e provës nga gjykata e Tiranës në prill të këtij viti, pasi gjykatësi mori parasysh gjendjen e vështirë sociale të saj.
Megjithatë, ajo nuk pati të njëjtin fat me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, i cili me anë të faturave abuzive aforfe i faturoi energji që ajo kurrë nuk kishte konsumuar, i preu energjinë elektrike, e burgosi dhe prej gati një viti e ka lënë familjen e saj pa energji elektrike”.
“Jam arrestuar si të kisha bërë krimin më të rëndë në këtë vend ndërkohë që nuk kisha vjedhur energjinë pasi lidhja që unë kisha bërë për një poç e energjia që konsumoja faturohej. Ditën që kam lidhur dritën kanë ardhur të policisë dhe më kanë shoqëruar në komisariatin nr. 1,” thotë Afërdita.
Ndërkohë, akuza të rënda për skandale korruptive me çështjen CEZ kanë përfshirë të gjithë klasën politike. Me qindra miliona euro të zhvatura, të falura, të humbura nga tri aktorët kryesorë të pushtetit në Shqipëri: trios Berisha, Rama, Meta.
Qytetarët po paguajnë shtrenjtë dëme dhe faje që nuk janë të tyre, por të pushtetarëve, të cilët, vazhdojnë të qeverisin të pashqetësuar.
Kjo është e padurueshme.
Kjo situatë duhet përmbysur.